KryesoreLajme

Kurti: Pjesëtarëve serbë kemi pasur të drejtë t’u themi mos shkoni, s’kemi të drejtë t’u themi kthehuni

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga institucionet ka qenë akt politik e individual i tyre dhe se kthimi i tyre tani është çështje ligji i cili s’e lejon një gjë të tillë. 

Kurti ka theksuar se më 2022, kur patën dhënë dorëheqje, akterëve serbë u ishte thënë të mos e bënin atë veprim dhe aktualisht, deklaroi ai, nuk kanë të drejtë ligjore e kushtetuese që t’u thuhet atyre të kthehen. 

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘mos i braktisni ato’, ‘mos jepni dorëheqje’, por nuk i kemi thënë e as nuk kemi të drejtë t’u themi ‘kthehuni’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore të ju themi kthehuni”, u shpreh ai.

Lexo më shumë  The Atlantic: Protestat në Shqipëri u kthyen në revoltë kundër qeverisë së Edi Ramës

Kurti largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë e ka quajtur akt sabotimi të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.  

“Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë këto dorëheqje i ka trajtuar ditë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial, ndërsa sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit, presim që në mbledhjen radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, përfundoi Kurti.

Lexo më shumë  Gjykata rrëzon padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado
YouTube player