KryesoreLajme

Si shërbenin institucionet fiktive serbe në Kosovë për të tërhequr para nga buxheti

Zbulimi se ministrja aktuale në Qeverinë e Serbisë ka marrë për vite me radhë pagë si drejtuese e një farmacie në Pejë, e cila ishte mbyllur që në vitin 2021, ka nxjerrë në pah mungesën sistematike të transparencës, keqpërdorimin e parave të taksapaguesve dhe retorikën e justifikuar me pretekstin e “kujdesit për popullin serb në Kosovë”.

Ndërsa qytetarët e Serbisë përballen me presione ekonomike dhe rritje të kostos së jetesës, mediat e pavarura kanë zbuluar mekanizma shqetësues përmes të cilëve fondet buxhetore janë derdhur prej vitesh në xhepat e funksionarëve partiakë, përmes strukturave paralele që nuk ekzistojnë realisht në Kosovë.

Në qendër të skandalit më të fundit ndodhet Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë, e njohur tashmë në opinion për deklaratën e saj nacionaliste lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Sipas dokumenteve zyrtare dhe raporteve të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Paunoviq deri në prill të vitit 2025 – kur mori detyrën e ministres – ka vazhduar të marrë rregullisht pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik Pejë.

Lexo më shumë  Haxhiu sot cakton datën e seancës konstituive

Megjithatë, Institucioni Farmaceutik Pejë është shuar zyrtarisht më 7 tetor 2021 me vendim të vetë Qeverisë së Serbisë.

Kërkesën për fshirjen e këtij institucioni nga Agjencia për Regjistrat Ekonomikë (APR) në vitin 2021 e kishte paraqitur vetë Snezhana Paunoviq. Ndërsa në dokumente institucioni ishte fshirë nga regjistrat, rrjedha e mjeteve financiare nga Beogradi nuk ishte ndërprerë asnjëherë.

Paunoviq ka qenë formalisht në krye të këtij institucioni për plot 11 vjet, ndërsa edhe pas mbylljes së tij zyrtare ka vazhduar për vite të tëra të përfitojë të ardhura të dyfishta – si deputete në Kuvendin e Serbisë dhe si drejtoreshë e një farmacie që juridikisht dhe në terren nuk ekzistonte më.

Ky skandal financiar ndriçon edhe profilin politik të ministres Paunoviq, e cila më herët kishte shkaktuar reagime të ashpra me deklaratën e saj kontroverse për spastrimin etnik. Në paraqitjet e saj publike, ajo ka akuzuar institucionet e Kosovës për kinse spastrimin etnik të serbëve, duke përdorur akuza të rënda si mburojë politike dhe si narrativë për rritjen e tensioneve.

Lexo më shumë  Media publike suedeze për protestat në Shqipër: Rama dhe Berisha akuzohen si të korruptuar!

Kërkimi në faqen e Drejtorisë së Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë tregon një situatë absurde: Institucioni Farmaceutik Pejë vazhdon të figurojë si aktiv në evidencën e përfituesve të fondeve publike, raportoi Nova.rs.

Edhe pse gazetarët e N1 dhe portalit Nova.rs iu drejtuan disa herë si Ministrisë së Financave (Drejtorisë së Thesarit), ashtu edhe vetë ministres Paunoviq me kërkesë për të shpjeguar se si është e mundur të paguhen paga për institucione që nuk ekzistojnë, përgjigjet nga autoritetet – sipas praktikës së deritanishme – munguan.

YouTube player