KryesoreLajme

KE-ja vlerëson SPAK-un, por ngre alarmin për median, korrupsionin dhe ligjvënien

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin 2026 për Shtetin e së Drejtës, ku vlerëson progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, por thekson se vendi vijon të përballet me sfida në pavarësinë e medias, procesin ligjvënës dhe funksionimin e institucioneve.

Raporti vlerëson përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, Komisioni evidenton se gjyqësori vijon të përballet me mungesë gjyqtarësh e prokurorësh, vakanca dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve.

Brukseli shpreh gjithashtu shqetësim për përpjekjet për ndikim politik dhe sulmet publike ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, duke theksuar se të gjitha pushtetet duhet të respektojnë dhe mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit.

SPAK vlerësohet, por korrupsioni mbetet problem serioz

Në kapitullin për luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se kuadri ligjor është në përgjithësi i konsoliduar dhe se Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030 po zbatohet. Megjithatë, korrupsioni vijon të perceptohet si problem i përhapur në administratën publike.

Sipas Eurobarometrit Special të vitit 2026 mbi korrupsionin në Shqipëri, 86% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është i përhapur në vend, ndërsa 73% e bizneseve ndajnë të njëjtin perceptim.

Komisioni vlerëson punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, duke theksuar se institucioni ka vazhduar të japë rezultate konkrete në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta, pavarësisht përpjekjeve për ta diskredituar apo për të ushtruar presion ndaj tij.

“Në vitin 2025, SPAK hetoi 30 zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë, përfshirë një zëvendëskryeministër, një ish-kryetar të Kuvendit, një ish-ministër dhe ish-deputetë. 18 prej tyre u dërguan për gjykim, ndërsa 10 u dënuan me vendim të formës së prerë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Megjithatë, raporti thekson se sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive nga rastet e korrupsionit mbeten në nivele të ulëta, ndërsa referimet e rasteve nga institucionet e tjera drejt SPAK-ut vijojnë të jenë të kufizuara.

Lexo më shumë  Rrustemi: Presidenti dhe Qeveria janë procese të ndara, por mund të ndërlidhen nëse ka vullnet politik

Komisioni ngre shqetësim edhe për korrupsionin në Policinë e Shtetit, prokurimet publike, partneritetet publik-private dhe sektorët e pronës, shëndetësisë, arsimit dhe doganave. Po ashtu, theksohet mungesa e transparencës në dhënien e statusit të investitorit strategjik.

Media vazhdon të jetë një nga pikat më problematike

Një nga kapitujt më kritikë të raportit lidhet me lirinë dhe pluralizmin e medias.

Komisioni shpreh shqetësim për pavarësinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, duke argumentuar se mënyra e emërimit të anëtarëve të bordit dhe lidhjet e tyre politike lënë hapësirë për ndikim politik. Po ashtu, raporti evidenton se pavarësia e Radio Televizionit Shqiptar, RTSH, mbetet e kufizuar, ndërsa emërimet në organet drejtuese kanë ngritur dyshime për ndikim partiak.

“Burimet e kufizuara, polarizimi i peizazhit mediatik dhe përdorimi i vazhdueshëm i retorikës nxitëse në debatin publik kanë vijuar të minojnë mekanizmat e vetërregullimit në sektorin e medias”, thuhet në raport.

Komisioni njeh ndryshimet ligjore të miratuara për rritjen e transparencës së pronësisë së mediave, por thekson se përqendrimi i tregut mediatik në duart e një numri të vogël grupesh biznesi me lidhje politike mbetet shqetësim serioz. Mekanizmat për kufizimin e përqendrimit të tregut janë ende të pamjaftueshëm.

Raporti kritikon gjithashtu mungesën e rregullave të qarta për shpërndarjen e reklamave shtetërore, duke vlerësuar se legjislacioni aktual nuk garanton transparencë dhe krijon rrezik për ndikim politik mbi mediat.

Një tjetër problem mbetet aksesi në informacion.

“Gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët preken më së shumti, vazhdojnë të përballen me vonesa, refuzime ose përgjigje të paplota ndaj kërkesave për informacion, veçanërisht në fusha politikisht të ndjeshme si prokurimet publike, investimet e mëdha publike dhe reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, specifikon raporti.

Komisioni vëren gjithashtu se gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime verbale dhe fizike, fushata diskredituese dhe padi strategjike, të njohura si SLAPP, ndërsa gazetaret gra mbeten veçanërisht të ekspozuara ndaj sulmeve online.

Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt dekriminalizimit të pjesshëm të shpifjes për gazetarët e regjistruar dhe ka rritur mbrojtjen penale ndaj sulmeve kundër tyre, por Komisioni kërkon vijimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.

Lexo më shumë  Stafa: Paguajmë 4.2 milionë euro koncertin e Kanye West kur pajisjet mjekësore kushtojnë 3.4 milionë euro. Ndërkohë QSUT bën kërkesë për donacione

“Projekti ‘Media Freedom Rapid Response’ ka raportuar 42 raste alarmi që prej korrikut 2024, të cilat përfshijnë 8 ‘sulme fizike’, 32 ‘sulme verbale’, 1 ‘sulm ndaj pronës’, 3 ‘incidente ligjore’ dhe 12 raste ‘ndërhyrjeje’. Gazetarët vijojnë të përballen me pasiguri të lartë në punësim dhe kushte të dobëta pune”, thekson raporti i KE-së.

Shqetësime për procesin ligjvënës dhe kontrollin institucional

Në kapitullin mbi kontrollin dhe balancën institucionale, Komisioni Evropian vëren se cilësia e procesit ligjvënës mbetet problematike. Sipas raportit, konsultimet publike janë shpesh formale, projektligjet publikohen me vonesë ose paraqiten në momentin e fundit nga deputetë individualë, duke kufizuar transparencën dhe mundësinë për debat publik.

“Projektligjet vijuan të paraqiteshin në momentin e fundit nga një deputet i vetëm, gjë që ndikon negativisht në cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ”, thuhet në raport.

Raporti evidenton se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e Kuvendit dhe mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit.

Komisioni shpreh gjithashtu shqetësim për refuzimin e Kuvendit për të hequr imunitetin e një deputeti pas një kërkese të SPAK-ut, duke argumentuar se kjo ngre pikëpyetje mbi respektimin e parimeve të kontrollit dhe balancës, si dhe të barazisë para ligjit.

Në të njëjtën kohë, raporti vlerëson rolin e Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen e ekuilibrit institucional, ndërsa mirëpret emërimin e Avokatit të ri të Popullit dhe Komisionerit të ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Komisioni vëren gjithashtu rritjen e numrit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që janë ende në pritje të zbatimit.

“Vendimi kryesor më i vjetër, i cili ka mbetur në pritje të zbatimit për 12 vjet, lidhet me moszbatimin e vendimeve të gjykatave vendase nga administrata publike”, thuhet në raport. /citizens.al/

YouTube player