GJKKO refuzon shtyrjen e procesit ndaj Veliajt dhe Xoxës, gjobitet avokati i kryebashkiakut
Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, vijojnë të përdorin mekanizma proceduralë për të shtyrë procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, ku të dy po gjykohen për akuza të rënda, si korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në seancën e sotme gjyqësore, kryebashkiaku i Tiranës, i pandehur për 13 akuza, nuk ishte i pranishëm. Përmes një shkrese, ai shprehu vullnetin që të përfaqësohej nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Gjykata bëri me dije se avokati Ndreca kishte paraqitur një kërkesë për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej në një proces tjetër në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile, ku i paditur është Arbjan Mazniku.
“Avokati thekson se është në pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancën gjyqësore”, relatoi gjykata.
Nga ana tjetër, Gurali Brahimllari, avokati i Ajola Xoxës, deklaroi se klientja e tij mungonte për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Në respektim të vendimit të gjykatës, klientja që mbroj, në cilësinë e pacientes, ka bërë konsultën tek mjeku që e ka ndjekur. Ajo vazhdon në të njëjtën situatë dhe e ka të pamundur të jetë prezente në këtë proces, që të realizojë mbrojtjen efektive”, tha Brahimllari.
Prokurori i SPAK, Ols Dado, kundërshtoi kërkesat e mbrojtjes, duke deklaruar se “pengesë për zhvillimin e seancës po bëhet mbrojtja e Veliajt”. Ai kërkoi që gjykata të caktonte një mbrojtës kryesisht, të vendoste gjobë sipas vlerësimit të saj dhe të pezullonte afatet e paraburgimit.
Sa i përket raportit mjekësor të Ajola Xoxës, prokurori theksoi se gjykata ishte shprehur tashmë për këtë çështje.
“Nuk bëhet fjalë për pamundësi për të marrë pjesë në proces gjyqësor. Operacioni nuk e pengon të marrë pjesë në proces”, u shpreh Dado.
Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi që seanca të zhvillohej pa praninë e Ajola Xoxës, duke arsyetuar se raporti mjekësor nuk provon pamundësinë e saj për të marrë pjesë në proces.
Gjykata vendosi gjithashtu vijimin e seancës pa praninë e Erion Veliajt, ndërsa gjobiti avokatin e tij, Plarent Ndreca, për mungesën.
Po ashtu, u caktua një avokate kryesisht për kryebashkiakun, Valentina Teodoresku, e cila edhe më herët ka qenë pjesë e kësaj dosjeje dhe ka ushtruar mbrojtjen e tij.
Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës së radhës për në datën 15 shtator.
Rruga Press

