KryesoreLajme

Sveçla: Serbia të izolohet derisa Vuçiqi të marrë masa ndaj Paunoviqit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga ndërkombëtarët izolimin e Qeverisë së Serbisë derisa presidenti Aleksandër Vuçiq të ndërmarrë masa ndaj ministres Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Sveçla ka thënë se reagimi i deritanishëm i Bashkimit Evropian ka qenë i pamjaftueshëm dhe se nevojiten masa konkrete ndaj autoriteteve serbe.

“Sa i takon bashkësisë ndërkombëtare, unë ende mendoj se reagimi ka qenë i butë. Do të duhej izolimi i Qeverisë së Serbisë derisa ajo të ndërmarrë masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe standardet evropiane”, deklaroi Sveçla në “A2News” të shtunën. 

Lexo më shumë  Karkaleci “pushton” Kolonjën! Dëmtohen kulturat bujqësore, fermerët: Rrezikojmë të mbesim pa prodhime! Institucionet nuk ndërhyjnë

Sipas tij, deklaratat e ministres serbe bien ndesh me vlerat themelore të Perëndimit dhe nuk mund të kalohen vetëm me dënime verbale.

“Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën’ nuk mjafton. Minimumi që pritet nga Vuçiqi është shkarkimi i zëvendëskryeministres dhe ministres, si dhe nisja e procedurave për ndjekje penale ndaj saj”, ka thënë ai.

Sveçla u ndal edhe te vendimi i Kosovës për ta shpallur Paunoviqin person “non grata”, duke theksuar se çdo person që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës nuk është i mirëpritur në vend.

Lexo më shumë  Mori pjesë në protestën në Tiranë, Kolegji Universitar i Biznesit e heq nga puna pedagogun: Mos u dekurajoni, mos u friksoni, luftoni se do të fitojmë

“Cilido që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës nuk është i mirëseardhur në Kosovë. Pa hezitim kam ndërmarrë këtë hap dhe një veprim të tillë do ta ndërmarrim sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh ministri i Brendshëm.

YouTube player