Pse i duhej Edi Ramës edhe një herë trupi i pajetë i Martin Canit
Duhet të kesh një lëkurë të trashë për të shpërfillur dhimbjen e dy prindërve që jetojnë çdo ditë me mungesën e fëmijës së tyre, të vrarë nga goditjet e thikës. Por kur plagën e tyre e ngacmon vazhdimisht sa herë të duhet ndonjë justifikim politik, këtu nuk bëhet më fjalë për mungesë ndjeshmërie, por për cinizëm të niveleve psiqike. Këtë cinizëm ka shfaqur Edi Rama me historinë e Martin Canit, jo një, por dy herë.
Herën e parë ndodhi pak muaj pas vrasjes. Nxënësi i “Fan Nolit” në Tiranë humbi jetën rrugës për në spital, pas një sherri ku u godit me thika, në të dalë të shkollës. Ndërsa familja kërkonte përgjegjësi nga shkolla, nga institucionet dhe nga organet që po hetonin ngjarjen, ndërkohë që opinioni publik ngrinte pikëpyetje për mënyrën si ishte menaxhuar konflikti dhe për dyshimet se hetimet po manipuloheshin, Rama zgjodhi ta zhvendoste debatin në një drejtim krejt tjetër.
Kryeministri shpalli si fajtor TikTok-un. Ai e quajti rrjetin social me qendër në Kinë “rrugaçi i lagjes”, rikujtoi kohët kur fëmijët nuk rriteshin nën ndikimin e algoritmeve dhe njoftoi mbylljen e platformës për një vit.
“TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës”, deklaronte asokohe Rama.
Ai e paraqiti vendimin si një masë për mbrojtjen e fëmijëve duke marrë shkas nga rasti i Martin Canit, por qëllimi real kishte prapavijë politike.
Mbyllja e TikTok-ut ndodhi pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ndërsa platforma ishte një nga hapësirat e pakta ku qeveria nuk ushtronte ndikim si në mediat tradicionale apo në rrjetet e tjera sociale.
Për kritikët e qeverisë, tragjedia e Martin Canit u përdor si argumenti moral që justifikonte mbylljen e një platforme të pakontrolluar, duke e zhvendosur debatin larg përgjegjësive konkrete të institucioneve.

Prindërit e Martin Canit e kundërshtuan këtë masë. Edhe atëherë ata e theksuan faktin se djali i tyre nuk ishte vrarë nga TikTok-u.
“Martini nuk u vra nga TikTok”, shkruanin nëna dhe babai i tij në reagimin e tyre publik.
Përkundrazi, ata e drejtuan gishtin pikërisht atje ku qeveria nuk donte të shikohej: te dështimi i shtetit duke e quajtur manipulim lidhjen e vrasjes së Martinit me mbylljen e rrjetit social.
“Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte. Ne nuk do të heshtim! Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja” shkruante familja Cani në vitin 2025.
Prindërit nuk kërkonin mbylljen e rrjeteve sociale, por përgjegjësi nga institucionet. Ata nuk flisnin për algoritme, por për shkollën, për mungesën e sigurisë, për mungesat në spitale dhe për dështimin e shtetit për të mbrojtur fëmijët.

Dukej sikur historia mbaroi aty, deri kur emri i Martin Canit u rikthye sërish në fjalimet e kryeministrit këtë të enjte. Kësaj radhe “Martini” i duhej për të mbështetur një projekt tjetër me vlerë mbi 100 milion dollarë. Në ceremoninë ku prezantoi “Smart City”, Rama deklaroi se të gjithë e kishin harruar vrasjen e të miturit, përveç tij.
“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën ‘Fan Noli’, që krijoi një situatë konvulsive me politizimin ekstrem të ngjarjes dhe me gazetarinë e gjakut. Unë nuk e kam harruar, sepse e kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt. Kjo është përgjigjja ime ndaj asaj tragjedie”, u shpreh Rama.
“Sot jemi në kohën e armikut të fëmijëve, rrezikut të rrugaçit të lagjes që është algoritmi. Ky sistem do të na japë krah dhe do të fokusohet edhe te bashkëpunimi me prindërit”, deklaroi ai.
Në pamje të parë, lidhja tingëllon e natyrshme: më shumë kamera do të thotë më shumë siguri edhe për fëmijët. Por debati për “Smart City” nuk është zhvilluar rreth nevojës për teknologji apo për mbrojtjen e nxënësve. Ky ka qenë një projekt që ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën se si do të shpenzohen mbi njëqind milionë euro para publike. Opozita ka lëshuar akuza për kosto të fryra, mungesë transparence dhe dyshime për korrupsion.
Sipas të dhënave të kontratës, do të instalohen 2 239 kamera ANPR për njohjen automatike të targave dhe 2 602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve, ndërsa policia do të pajiset me 3 816 kamera trupi të lidhura me një sistem të centralizuar mbikëqyrjeje.
Vetëm licencat e programeve kushtojnë 31 milionë dollarë, pajisjet dhe infrastruktura 62.4 milionë dollarë, 8 milionë dollarë janë parashikuar për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë dollarë për mirëmbajtjen katërvjeçare. Me TVSH, fatura totale arrin rreth 140 milionë dollarë. Shifrat kanë ushqyer akuzat për shpenzime marramendëse, ndërsa kamera të ngjashme mund të blihen në treg me çmime shumë më të ulëta.
Pikërisht tani rikthehet edhe një herë emri i Martin Canit, si historia e një fëmije të vrarë që e zhvendos menjëherë diskutimin nga milionat te emocionet.

Por edhe kësaj radhe, ata që e kundërshtuan të parët përmendjen e djalit të tyre si mish për top ishin prindërit e Martinit. Duke kuptuar se emri i tij po keqpërdorej sërish, ata i kërkuan kryeministrit të ndalej.
“Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera. Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.” shkruan familja Cani në reagimin e radhës.
Në të njëjtën letër, familja Cani përsërit pretendimet për problemet në shkollën “Fan Noli”, për mungesat në sistemin shëndetësor dhe për dështimet institucionale që, sipas tyre, mund të kishin bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes së djalit të tyre. Janë deklarata që familja i ka bërë publikisht prej muajsh, janë raportuar gjerësisht nga mediat dhe njihen mirë nga vetë kryeministri.
Megjithatë, për herë të dytë, Edi Rama zgjodhi ta rikthente Martin Canin duke shpërfillur familjen që vazhdon t’i drejtohet institucioneve. Mjafton që ta lidhte kujtimin e tij në një fjalim me një projekt që përballet me kritika të forta për korrupsion.
Korrupsioni është arsyeja pse kryeministri e përdori kësaj radhe emrin e Martinit. Këtu qëndron edhe cinizmi më i madh: për familjen Cani, Martini ishte një djalë që nuk do të kthehet më kurrë në shtëpi; për Edi Ramën, ai vazhdon të rikthehet sa herë i duhet një argument publik./Lapsi.al
Rruga Press

