KryesoreLajme

Deputetja britanike Alicia Kearns e quan të turpshme deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik në Kosovë

Një nga deputetet më të zëshme britanike për çështjet që lidhen me Kosovën, Alicia Kearns, e ka quajtur të turpshme deklaratën e ministres të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila publikisht tha se po të ishte në vend të Millosheviqit do të bënte spastrim etnik në Kosovë.

Kearns, e ka quajtur këtë deklaratë njollë mbi Qeverinë e Serbisë.

“Mbështetja e turpshme e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë është një njollë mbi Qeverinë e Serbisë. Njerëzit që sot janë në të tridhjetat e tyre i kujtojnë mizoritë që forcat e Millosheviqit kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre”- ka shkruajtur ajo në rrjetin social “X”.

Deputetja tha se nuk duhet të ekzistojë asnjë përpjekje për të justifikuar krimin që ndodhi në Kosovë.

“Asnjë përpjekje për t’i justifikuar – apo, edhe më keq, për t’i lavdëruar – këto krime nuk mund ta bëjnë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë. Mos harroni kurrë”- ka përfunduar ajo.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Në argumentin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

Sveçla tha se një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.

“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës” – ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

Lexo më shumë  Auditorët e BE: Projektet e transportit në Shqipëri, të ngadalta dhe të pambikëqyrura

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.

Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik.

Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.

Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik.

Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Megjithatë, ajo nuk paralajmëroi ndonjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, por vetëm përsëriti se nuk ka vend për një retorikë të tillë.

Edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq.

Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë.

“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”- tha Kos në një konferencë për media.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkroi në X se “një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është plotësisht në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane”.

“Heshtja nuk është opsion. As përgjigjet e dobëta”- shtoi ai.

Deklaratës së saj i është kundëpërgjigjur ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës i Kosovës, Andin Hoti, duke thënë se kjo tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviqit rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Lexo më shumë  Deputeti shqiptar në Serbi: Do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres Paunoviç

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”- ka thënë ajo gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”.

Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Rruga Press

YouTube player