Argument

Funerali i “Investitorit Strategjik”, ligji më i zi në historinë e Parlamentit Shqiptar!

Nga Mentor Kikia

Kryeministri i Shqipërisë i premtoi Komisionit Europian se Ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet.

“Ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet, pasi ai e përmbushi qëllimin dhe po punojmë edhe me Komisionit për të miratuar ligjin e ri që do ta zëvendësojë”- kjo ishte deklarata e bërë nga Z.Rama të martën në Bruksel.

E para: Duhet thënë se Lirgji për Investimet Strategjike, është ligji më klientelist që ka prodhuar institucioni ligjvënës në historinë e tij. Ligji e ka humbur disa herë fuqinë e tij. Dhe çdo herë, kur i duhej dikujt, gjendej ndonjë deputet-kartoni që kërkonte shtyrjen e efektit të tij.

E dyta: Rama thotë se ligji e përmbushi qëllimin.

Por cili ishte qëllimi?

Neni 1: “Ky ligj synon tërheqjen e investimeve strategjike, vendase dhe të huaja, në sektorë të ekonomisë, të identifikuara prej këtij ligji si strategjikë”.

Lexo më shumë  Deklarata e ministres serbe për Kosovën, ngre shqetësime për vazhdimin e narrativës për spastrimit etnik ndaj shqiptarëve

A përputhet qëllimi me realitetin?

Cilët janë sektorët strategjikë? a) Transporti. b) Turizmi(strukturat turistike). c) Bujqësia(fermat e mëdha). d) Zonat e teknologjisë dhe zhvillimit.

Çfarë mbështeti ky ligj?

Thuajse 100% ndërtime në zonat bregdetare, jo për qëllime turistike, por për biznes imobilar. Në mijëra hektarë tokë u ngritën e vazhdojnë të ngrihen fshatra me një hotel, qindra vila e mijëra apartamente për shitje, me çmime stratosferike, në truall dhuratë nga shteti, rrugë dhuratë nga shteti, energji, ujë e kanalizime dhuratë nga shteti dhe lehtësira të tjera infrastrukturore e fiskale.

Pasojat:

-Korrupsioni u ngrit në nivel ligjvënësi. Parlamenti u shndërrua në rrobaqepës që qepte ligjin si pas masës së “Investitorit”. Statusi “Investitor Strategjik” zyrtarizoi oligarkinë trikëndore “Pushtet – Biznes – Krim”.

-Shkatërimi i perspektivës turistike të vendit. Zonat bregdetare më të favorshme për turizëm, masiv dhe VIP, në vend të ndërtimit të resorteve turistike të premtuara, u shndërruan në fshatra VIP.

Lexo më shumë  Pagesa bazë e subvencionit për një hektar grurë të mbjellë, nga qeveria e Shqipnisë asht 150 euro, ndërsa nga qeveria e Kosovës asht 460 euro

-Shkatërrimi i konkurencës. Statusin “Investitor Strategjik” e merrnin vetëm njerëz të afërt me pushtetin, deri edhe drejtues të grupeve kriminale, dhe u goditën ndërtuesit e ndershëm.

Pra, ky ligj, jo vetëm që veproi jashtë fokusit të tij, por ai prodhoi dëme të pa kthyeshme.

Kryeministri tha se po hartojmë një ligj të ri për ta zëvendësuar. Nëse e ka përmbushur qëllimin, atëherë për u dashka zëvendësuar? Kush po e harton ligjin e ri dhe çfarë parashikon ai ndryshe nga ky i vjetri që po zëvendëson?

Rruga Press

YouTube player