Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiqit: Shkarko ministren Paunoviç
Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila shprehu keqardhje që nuk u realizua deri në fund spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ai tha se ministrja serbe “i referohet dhe legjitimon pikërisht atë politikë për të cilën Slobodan Millosheviq u akuzua para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe për të cilën u dënuan zyrtarë të lartë serbë dhe jugosllavë”.
“Në çdo demokraci të bazuar në sundimin e ligjit, deklarata të tilla do të ishin të papajtueshme me ushtrimin e një funksioni publik. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm”, thuhet në deklaratën e Gozit.
Gozi është sekretar i përgjithshëm i European Democratic Party (EDP).
Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që nxiti shumë reagime.
Rruga Press

