KryesoreLajme

Si po “gatuhet” lirimi i Erion Veliajt: fati i kryebashkiakut në duart e Ilir Pandës, a është gjyqtari në konflikt interesi?

Ndërsa SPAK akuzon Erion Veliajn për 13 vepra penale, mes tyre korrupsion dhe pastrim parash, në Gjykatën e Lartë po zhvillohen lëvizje procedurale që mund të hapin rrugën për lirimin e tij nga paraburgimi. Bëhet fjalë për ndryshimin e trupës gjykuese që ka shqyrtuar deri tani kërkesat e kryebashkiakut të Tiranës, si edhe për përfshirjen në këtë trupë të një gjyqtari që më parë është tërhequr nga shqyrtimi i një çështjeje të bashkëshortes së Veliajt, duke deklaruar konflikt interesi. Nëse këto zhvillime konfirmohen, ato ngrenë pikëpyetje serioze për respektimin e rregullave procedurale dhe paanshmërinë e procesit.

Për ta thënë më thjesht, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kërkesat penale të të njëjtit person të shqyrtohen nga i njëjti kolegj penal. Deri më sot, të gjitha kërkesat e Erion Veliajt janë shqyrtuar nga kolegji i përbërë nga kryesuesja Albana Boksi dhe anëtarët Sokol Binaj e Genti Shala.

Lexo më shumë  Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Republikën e Shqipërisë

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e detyroi Gjykatën e Lartë ta rishqyrtojë çështjen dhe të arsyetojë pse masa e “arrestit në burg” është e vetmja masë e përshtatshme për Erion Veliajn në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, përbërja e kolegjit është ndryshuar. Albana Boksi dhe Sokol Binaj nuk do të jenë më pjesë e trupës gjykuese dhe janë zëvendësuar nga gjyqtarët Ilir Panda dhe Sander Simoni. I vetmi anëtar që mbetet i pandryshuar është Genti Shala.

Por ndryshimi i kolegjit nuk është i vetmi problem.

Njëri prej anëtarëve të rinj të trupës, gjyqtari Ilir Panda, ndodhet në një situatë të qartë konflikti interesi. Më herët, kur duhej të shqyrtonte një kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, ai dha dorëheqjen, duke argumentuar se kishte njohje familjare me të. Dorëheqja e tij u pranua dhe çështja iu kalua një tjetër trupe gjykuese.

Tashmë, kur Ilir Panda është pjesë e trupës që do të shqyrtojë masën e sigurisë për Erion Veliajn, pra për bashkëshortin e Ajola Xoxës, ai ende nuk ka dhënë dorëheqjen, pavarësisht se vetë ka pranuar më herët ekzistencën e një konflikti interesi.

Lexo më shumë  Washington Examiner: Shqipëria po përballet me krizë demokracie dhe institucione të kapura

Në këto kushte, SPAK duhet të dorëzojë kërkesën për përjashtimin e Ilir Pandës nga trupi gjykues, për shkak të konfliktit të interesit që ai vetë ka pranuar më parë.

Mënyra se si po zhvillohet ky proces e bën edhe më të rëndësishëm monitorimin e tij. Nëse zhvillimet do të vijojnë me këtë ritëm, është shumë e mundshme që, mes vapës përvëluese të gushtit, Gjykata e Lartë të marrë vendimin që do të përcaktojë fatin e kryebashkiakut të Tiranës. Pikërisht për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, sytë e medias dhe të opinionit publik duhet të jenë të drejtuar te Gjykata e Lartë. /vna.al/

YouTube player