KryesoreLajme

Qëndresa Qytetare kërkon auditim nga KLSH për 4 milionë eurot e koncertit të Kanye West

Qëndresa Qytetare i është drejtuar zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për kalimin e 4.2 milionë eurosh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të kocertit të Kanye West, të mbajtur më 11 korrik.

Sipas organizatës, ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë e përdorimit të fondit rezervë, i cili, sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë hartimit të buxhetit.

“Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, pasi favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën”, tha në deklaratën e tij Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.

Lexo më shumë  Shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit, kallëzohet penalisht pas dyshimeve për abuzime me fondet

Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon KLSH-së të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike të lidhura me Aktin Normativ nr. 3/2026.

Po ashtu, organizata kërkon që, nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore ose shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale.

“4 milionë euro janë para publike dhe çdo qindarkë e tyre duhet të jetë e justifikuar, transparente dhe e kontrollueshme”, thuhet në reagimin e Qëndresës Qytetare.

Më 11 korrik, Tirana mirëpriti reperin amerikan Kanye West në një koncert që kohët e fundit nxiti debate për vendimmarrjen e qeverisë për ti kaluar 4.2 milionë euro financim, për shkak të mos shitjes së biletave. Më herët, përfaqësues të qeverisë u shprehën se ky ishte një koncert privat dhe gjithcka do të kryhej nga shteti ishte mbarëvajtja e koncertit dhe siguria në transport.

Lexo më shumë  Intensifikohet vala e të nxehtit në Francë, mbyllen reaktorët bërthamorë

Mirëpo, më 7 korrik ndërsa inspektonte punimet në “Eagle Stadium” një strukturë që po ndërtohej nga e para vetëm për zhvillimin e këtij aktiviteti muzikor, kryeministri Edi Rama konfirmoi përfshirjen financiare të shtetit në organizimin e koncertit.

Vendim ky, i marrë më 6 korrik përmes një akti normativ, duke prekur fondin rezervë të buxhetit të shtetit. /citizens.al/

YouTube player