Fondi i Kursimeve Pensionale arrin rekord historik investimesh – Kurti: 312 milionë euro kthim bruto në gjysmën e parë të vitit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) ka shënuar rezultatin më të lartë investues për një periudhë gjashtëmujore që nga themelimi i tij.
Kurtit tha se nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, kthimi bruto nga investimet e Trustit ka arritur në rreth 312 milionë euro.
Ai ka theksuar se ky rezultat tregon rëndësinë e menaxhimit profesional dhe qeverisjes së mirë në institucionet publike.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka shënuar rezultatin më të lartë investues brenda një gjysmëviti që nga themelimi i tij. Nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, Trusti ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet”, ka shkruar Kurti.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, kthimet nga investimet kanë qenë:
88 milionë euro në vitin 2023;
247 milionë euro në vitin 2024;
309 milionë euro në vitin 2025;
312 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Kurti ka thënë se këto rezultate janë lajm i mirë për qindra mijëra kontribuues, kursimet e të cilëve menaxhohen për sigurinë e tyre financiare pas pensionimit.
Ai ka përgëzuar Bordin, menaxhmentin dhe punonjësit e Trustit për punën e bërë, duke bërë të ditur se vlera totale e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në 4 miliardë e 245 milionë euro.
“Këto rezultate dëshmojnë rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. Do të vazhdojmë të kontribuojmë në përmirësimin e kuadrit ligjor, duke respektuar pavarësinë institucionale të Trustit”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Rruga Press

