Gazetari në Tiranë i drejtohet Buzhalës/ Osman Stafa: Ndërsa Kosova investon te qytetarët, Shqipëria investon te propaganda
Shkruan Osman Stafa
Berat, më pëlqeu statusi yt. Sidomos pjesa ku thua se në Kosovë highlight-i i verës është korrja e grurit. Ke të drejtë. Është korrja e grurit, sepse një shtet serioz e konsideron sukses kur arrin të mbjellë, të prodhojë dhe të korrë bukën e gojës së qytetarëve të vet. Ndërsa në Shqipëri, highlight-i është bërë koncerti, spektakli dhe propaganda, ndërkohë që për një pjesë të madhe të grurit që hamë jemi të varur nga importet, ku Serbia është ndër furnizuesit kryesorë. Kjo është diferenca mes dy mënyrave të të qeverisurit.
Por po ta lëmë grurin mënjanë.
Le të flasim për jetën e njerëzve.
Kosova ka PET/CT dhe diagnostikon pacientët me kancer. Shqipëria nuk ka asnjë. Kosova ka kapacitete 100 poltronë për kimioterapi, ndërsa Shqipëria 30 të tillë. Kosova ka brakiterapi funksionale, ndërsa në Shqipëri gratë me kancer gjinekologjik kanë mbetur për muaj të tërë pa trajtimin që u jep shpresë. Pajisja nuk punon.
Shqiptarët e Kukësit dhe të Tropojës nuk kalojnë kufirin për turizëm. E kalojnë sepse në Gjakovë dhe Prizren gjejnë ushqime më të lira, karburant më të lirë dhe, në jo pak raste, edhe shërbime shëndetësore më të mira se në vendin e tyre.
Ky është realiteti që i nxjerr njerëzit në protestë.
Jo koncerti. Jo Kanye West.
Jo “forcat e errëta”, siç po përpiqeni t’ua shisni shqiptarëve.
Shqiptarët kanë dalë në rrugë sepse korrupsioni po bën kërdinë.
Këtu ish-ministri i Shëndetësisë pret gjyqin për afera korruptive. Këtu kryebashkiaku i kryeqytetit akuzohet për korrupsion. Këtu SPAK-u heton ministra e zyrtarë të lartë. Këtu Kuvendi mbron Belinda Ballukun përballë Spakut. Këtu Kryeministri vendos për çdo gjë, kush do të ndërtojë, ku do të ndërtojë, edhe si do të ndërtojë.
Edhe një gjë, Berat.
Meqë të pëlqen të flasësh në emër të Kosovës, thuaju shqiptarëve edhe pse partia që sot po mbron nuk gjeti kurrë vullnetin të miratonte një rezolutë që t’i cilësonte krimet e Serbisë në Kosovë si gjenocid. Për këtë nuk të kam dëgjuar të shqetësohesh asnjëherë.
Ndoshta sepse është më e lehtë të bëhesh zëri i pushtetit sesa zëri i qytetarëve.
Në fund, koncerti mbaroi. Dritat u fiken. VIP-at u larguan. Po tani?
Pacienti me kancer do të vazhdojë të presë Pet-skanin që nuk është.
Gruaja me kancer do të vazhdojë të presë brakiterapinë që nuk punon.
Fermeri do të vazhdojë të shohë tokën e braktisur.
Dhe shqiptari do të vazhdojë të protestojë.
Sepse hallet e një populli nuk mbulohen me muzikë. Mbulohen vetëm me mirëqeverisje. Shqipëria këtë sot nuk e ka.
Rruga Press

