Bota

Nëntë shtete ia mbajnë Serbisë të bllokuar hapjen e kapitujve me BE-në

KOHA mëson nga burimet diplomatike se së paku nëntë shtete anëtare janë shprehur kategorikisht kundër rekomandimit të Komisionit Evropian për të hapur grupkapitullin 3 në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë. Në një “notë informuese”, Komisioni mes tjerash vlerëson edhe angazhimin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën

Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në takimin e tyre në Bruksel të mërkurën nuk kanë arritur pajtim për të hapur grupkapitullin 3 në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë. 

KOHA mëson nga burimet diplomatike se së paku nëntë shtete anëtare janë shprehur kategorikisht kundër këtij vendimi. Vendimet për këtë hap, sikur për secilin hap në procesin e zgjerimit, merren vetëm me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.

Sipas burimeve diplomatike, kundër ishin Holanda, Suedia, Belgjika, Finlanda, Kroacia, Bullgaria, tri vendet Baltike (Estonia, Lituania e Letonia) dhe me rezerva edhe disa vende tjera.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e negociatave të anëtarësimit që nga fundi i vitit 2021. Komisioni Evropian kishte rekomanduar që të hapet ky grupkapitull duke nënvizuar se Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme.

Në një “notë informuese”, Komisioni mes tjerash vlerëson edhe angazhimin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën.

“Komisioni mund të informojë Këshillin se Serbia vazhdon të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, siç është konfirmuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në dokumentin që Komisioni Evropian ua ka dërguar vendeve anëtare, ku me një ton shumë pozitiv për Serbinë bën presion ndaj vendeve anëtare që të hapin kapituj të rinj në procesin e negociatave.

Lexo më shumë  PAMJET/ Dronët ukrainas godasin rafinerinë më të madhe të Rusisë

Serbia për katër vjet nuk ka hapur asnjë kapitull.

Dialogu me Kosovën, krahas sundimit të ligjit, është parakusht për avancimin e përgjithshëm të Serbisë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë letër, Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht edhe reformat që ka bërë Serbia në fushën e mediave, gjyqësorit dhe në përshtatje me politikën e jashtme. Kjo letër e Komisionit ka hasur në kritika nga ana e disa shteteve anëtare sepse ato mendojnë se nuk pasqyron realitetin në Serbi.

Rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë e ka konfirmuar në debat në Parlamentin Evropian edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

“Në kohën kur vendet e tjera po përparojnë në procesin e anëtarësimit, ne nuk duam që Serbia të mbetet prapa. Për këtë arsye, në dritën e disa zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit, Komisioni ka përsëritur rekomandimin drejtuar Këshillit për të hapur grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, ka thënë Kos.

Lexo më shumë  “Në mbrojtje të kufijve të NATO-s”/ Presidenti Karol Nawrocki kërkon bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni

Krejt ndryshe nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Serbisë mendon Parlamenti Evropian, i cili madje ka kërkuar që asaj edhe t’i ndalen fondet për shkak të problemeve me sundimin e ligjit. Parlamenti Evropian ka kritikuar Serbinë edhe për raportet me Kosovën. Për këtë ka folur edhe Tonino Piculla, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

“Në vend që të hapë dhe të mbyllë kapitujt e negociatave, qeveria e Serbisë po hap dilema të reja dhe po krijon tensione të reja me fqinjët. Nuk mund të flasim për përparim në dialogun me Kosovën nëse përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë nuk sillen para drejtësisë. Ne, si Parlament Evropian, duhet të jemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj respektimit të vlerave dhe rregullave. Nuk mund të heshtim përballë prapakthimit në sundimin e ligjit, erozionit të standardeve demokratike dhe ndikimit shkatërrues në stabilitetin e rajonit”, ka thënë Piculla.

Parlamenti Evropian ka kritikuar Serbinë edhe për vazhdimin e forcimit të raporteve me Rusinë dhe për presion ndaj mediave. Rezoluta e cila kritikon Serbinë është miratuar në Parlamentin Evropian me 468 vota në favor, 116 kundër dhe 79 të përmbajtur.

Rruga Press

YouTube player