25 organizata denoncojnë sulmet online ndaj protestuesve dhe kërkojnë hetim për dhunën policore
25 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian, ambasadave të vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësim për atë që e cilësojnë si një fushatë të organizuar sulmesh online dhe delegjitimimi ndaj protestuesve, gazetarëve të pavarur, aktivistëve dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë mbështetur ose marrë pjesë në protestat e njohura si “Revolucioni Flamingo”.
Në letër, organizatat theksojnë se që prej 30 majit 2026, mijëra qytetarë kanë ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim paqësor dhe liri shprehjeje, duke protestuar për çështje që lidhen me korrupsionin, llogaridhënien demokratike apo vendimmarrjen në interes publik, por janë përballur me një fushatë e polarizuar në rrjetet sociale dhe në disa media online, ku në vend të debatit mbi kërkesat e protestuesve, janë sulmuar individët që marrin pjesë në to.
Organizatat identifikojnë tre forma kryesore të këtyre sulmeve. Së pari, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë janë akuzuar pa prova për keqpërdorim fondesh të donatorëve apo të Bashkimit Evropian, pasurim personal ose ndikim të huaj, me qëllim diskreditimin e punës së tyre dhe uljen e besimit publik ndaj organizatave të shoqërisë civile.
Së dyti, aktivistët dhe organizatat që angazhohen për mbrojtjen e zonës së Vjosë-Nartës dhe çështjeve të tjera mjedisore janë paraqitur si aktorë të motivuar financiarisht ose politikisht, duke zhvendosur vëmendjen nga shqetësimet mjedisore drejt sulmeve personale.
Forma e tretë, lidhet me ekspozimin publik të qytetarëve që marrin pjesë në protesta. Në letër thuhet se protestuesit janë fotografuar, identifikuar me emër dhe etiketuar si persona të infiltruar politikisht ose të lidhur me interesa të fshehta, gjë që mund të cënojë privatësinë e tyre, t’i ekspozojë ndaj intimidimit dhe të dekurajojë pjesëmarrjen në protesta.
Organizatat shprehen se në disa raste aktivistë, organizatorë dhe qytetarë janë përmendur me emër nga funksionarë publikë, janë bërë objekt talljeje dhe janë paraqitur si të motivuar politikisht ose të ndikuar nga interesa ruse, iraniane apo greke, në vend që t’u jepet përgjigje shqetësimeve që kanë ngritur përmes protestave.
Kjo krijon një pabarazi të dukshme mes pushtetit të zyrtarëve dhe qytetarëve të zakonshëm, duke prodhuar një efekt frikësues që mund të pengojë ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor.
Duke e lidhur situatën me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në letër theksohet se respektimi i shtetit të së drejtës, lirive themelore, lirisë së medias dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për shoqërinë civile janë elemente kyçe të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Këto zhvillime janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,”-thuhet në njërën prej fjalive mbyllëse të letrës.
“Hetim të pavarur, efektiv dhe të paanshëm për çdo pretendim të besueshëm për keqtrajtim”
Pas letrës drejtuar partnerëve ndërkombëtarë, në një deklaratë të nënshkruar nga 25 organizata, 17 prej të cilave janë gjithashtu nënshkruese në letrën që iu drejtua institucioneve ndërkombëtare, është kërkuar hetim i pavarur për pretendimet e dhunës ndaj protestuesve që morën pjesë në protestën para Kuvendit më 2 korrik.
Sipas deklaratës, pas lirimit të 19 protestuesve të arrestuar më 5 korrik, disa prej të arrestuarve dhe avokatët mbrojtës kanë paraqitur pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit pretendime për dhunë fizike gjatë arrestimit, transportimit me automjetet e policisë dhe qëndrimit në komisariat.
Organizatat dënojnë çdo akt dhune, përfshirë edhe dëmtimet ndaj Komisariatit nr. 3 të Policisë së Shtetit, por theksojnë se veprimet e individëve nuk mund të përdoren për të kriminalizuar një protestë paqësore apo për të justifikuar përdorimin e forcës ndaj personave që ndodhen nën kontrollin e policisë.
Në deklaratë përmenden disa raste konkrete të protestuesve që pretendojnë se janë goditur me grushte, shkelma dhe shkopinj gome edhe pasi ishin prangosur. Të tjerë deklarojnë se janë dhunuar gjatë transportimit në automjetet e policisë ose se ndaj tyre është përdorur spraj me piper ndërsa ishin ulur në tokë dhe nuk po bënin rezistencë.
Ishte Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili pas një deklarate të bërë publike nga Gentian Sejrani, avokati mbrojtës i njërit prej të paraburgosurve, reagoi më një status në Facebook, ku u shpreh se pretendimet për dhunë janë “totalisht të pavërteta”.
Për këtë reagim, organizatat janë shprehur se deklarata të tilla para përfundimit të hetimeve mund të ndikojnë në paanshmërinë e procesit dhe të krijojnë efekt frikësues ndaj avokatëve që mbrojnë protestuesit.
Organizatat i bëjnë thirrje Prokurorisë të nisë një hetim të pavarur, efektiv dhe të paanshëm për çdo pretendim për keqtrajtim, të sigurojë pamjet filmike të protestës dhe ambienteve policore, të garantojë kryerjen e ekspertimeve të pavarura mjeko-ligjore dhe të shmanget çdo deklaratë publike që mund të paragjykojë hetimet ose të stigmatizojë protestuesit, avokatët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut. /citizens.al/
Rruga Press

