Televizioni publik belg: Protestat kërkojnë fundin e korrupsionit, dorëheqjen e Ramës
Protestat kundër ndërtimit të një resorti luksoz nga familja amerikane Trump janë shndërruar në Shqipëri në një lëvizje që kërkon reforma më të gjera dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Rama vlerësohet si njeriu që modernizoi vendin e tij, por njëkohësisht vazhdon të përballet me akuza për korrupsion dhe klientelizëm. Ky është portreti i një figure politike sa intriguese, aq edhe kontraverse.
Freek Willems
Edi Rama (62 vjeç) është kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013. Ai është kryeministri me mandatin më të gjatë në periudhën postkomuniste dhe i pari që ka fituar katër zgjedhje parlamentare radhazi (hera e fundit në vitin 2025).
Piktor në Francë
Por përpara se të hynte në politikë, jeta e tij dominohej kryesisht nga arti. Rama u rrit në një familje artistësh. Babai i tij, Kristaq Rama, ishte një skulptor i njohur që realizoi një sërë veprash gjatë periudhës komuniste. Ai kishte gjithashtu lidhje të ngushta me regjimin komunist.
Edi Rama nisi të pikturonte që në fëmijëri. Ai studioi artet dhe më pas u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, institucioni më i rëndësishëm publik i arsimit të lartë artistik në Shqipëri.
Pas diplomimit, ai dha mësim në akademi. Gjatë asaj periudhe (në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990), organizoi një sërë takimesh publike me studentë, ku qeveria komuniste shqiptare kritikohej hapur.
Megjithatë, në atë kohë një karrierë politike nuk ishte ende në planet e tij. Rama iu përkushtua artit dhe në vitin 1994 u largua jashtë vendit (mes të tjerash në Francë) për të ndërtuar një karrierë si piktor. Veprat e tij u ekspozuan në disa galeri.
Kryeqyteti shumëngjyrësh
Në vitin 1998 ai u kthye në Shqipëri dhe u bë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Megjithatë, famën ndërkombëtare e fitoi si kryetar i Bashkisë së Tiranës (2000–2011).

Rama transformoi kryeqytetin gri të trashëguar nga blloku lindor duke rehabilituar hapësirat publike të lëna pas dore dhe të mbushura me ndërtime të paligjshme, duke zgjeruar zonat e gjelbra dhe duke rindërtuar rrjetin rrugor. Veprimi më i spikatur ishte lyerja me ngjyra të ndezura e pallateve gri të ndërtuara gjatë komunizmit.
Transformimi i Tiranës mori vlerësime ndërkombëtare dhe në vitin 2004 i solli Ramës çmimin “World Mayor Award”.
Kryeministër me synimin drejt Bashkimit Evropian
Rama është kryeministër që prej vitit 2013. Në vitet e para të mandatit, ai u përqendrua kryesisht në rivendosjen e rendit publik. Gjatë qeverisjes së tij, papunësia në Shqipëri u ul, ndërsa turizmi dhe investimet e huaja morën hov. Megjithatë, pagat në Shqipëri mbetën të ulëta dhe gjatë dhjetë viteve të fundit kjo ka çuar në rritjen e emigracionit.
Integrimi evropian është në qendër të politikës së tij të jashtme. Rama e sheh atë si mënyrën e vetme për të parandaluar një shpërthim të ri dhune në Ballkan. Ai e konsideron gjithashtu si një mburojë kundër rritjes së ndikimit rus në rajon.

Në korrik të vitit 2022 u hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Rama është i bindur se vendi i tij mund t’i bashkohet BE-së në vitin 2030, por kjo mbetet ende për t’u parë.
Përveç kësaj, Rama mban marrëdhënie të mira me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, figura politike që nuk janë pa polemika.
Është e veçantë që karriera politike e Ramës nuk e pengoi atë të vazhdonte të pikturonte dhe të ekspozonte veprat e tij. Edhe si kryeministër. Vitet e fundit, punimet e tij janë ekspozuar në galeri në Paris, Athinë, Napoli, Porto dhe Berlin, ndër të tjera. Kjo është diçka mjaft e pazakontë për një kreu qeverie.
Rama ndërthur gjithashtu jetën e tij artistike me atë politike. Gjatë takimeve dhe bisedave telefonike, thuhet se ai i shndërron dokumentet zyrtare në vepra të vogla arti, duke i mbuluar me “vizatime spontane, të ngjashme me rrjedhën e mendimeve”. Kohët e fundit ai i ka kthyer këto vizatime edhe në skulptura bronzi, njëra prej të cilave është mbi dy metra e lartë.
Shaka me Macron
Rama dallohet nga shumë liderë evropianë jo vetëm për talentin artistik. Me një gjatësi prej 2 metrash e 1 centimetri, ai fjalë për fjalë qëndron kokë e supe mbi shumë prej kolegëve të tij.
Shtatlartësia i hyri në punë që në adoleshencë, kur luante basketboll për Dinamon e Tiranës. Rama ishte për një periudhë të shkurtër edhe pjesë e kombëtares shqiptare të basketbollit.
Rama njihet edhe si një njeri me sens humori. Në fund të vitit të kaluar, një video e tij u bë virale në rrjetet sociale. Në atë kohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi disa herë se kishte ndërmjetësuar paqen mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, kur në fakt kishte dashur të thoshte Armeninë.
Gjatë një takimi të Komunitetit Politik Evropian, Rama bëri shaka me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, duke thënë: “Duhet të na kërkoni falje, sepse nuk na uruat për marrëveshjen e paqes që presidenti Trump arriti mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.” Macron dukej se e shijoi shumë shakanë.
Polemikat
Por pas imazhit të reformatorit, artistit dhe politikanit karizmatik fshihet edhe një figurë që vitet e fundit është përfshirë shpesh në polemika. Sipas kundërshtarëve të tij, rreth Ramës është përqendruar tepër pushtet politik.
Edhe liria e medias është nën presion në Shqipëri. Mediat kritike përballen me trysni dhe Rama është përplasur edhe me organizatën ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, e cila e uli Shqipërinë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Prej vitesh Rama përballet gjithashtu me akuza të vazhdueshme për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe klientelizëm. Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka shprehur shqetësim për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ish-ministra të qeverive të Ramës janë marrë tashmë të pandehur dhe janë dënuar për korrupsion. Vetë Rama i mohon të gjitha akuzat. Organizatat ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni dhe ndikimi politik mbeten problem në Shqipëri, përfshirë projektet e zhvillimit urban.
Për këtë arsye, nuk është aspak për t’u habitur që e ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi si një protestë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Prej javësh, dhjetëra mijëra njerëz po dalin në rrugë. Mbrëmë protestuan për herë të 35-të, pikërisht në ditëlindjen e Ramës. Ata e akuzojnë kryeministrin se po u jep përparësi investitorëve të huaj në dëm të interesave të vendit. Rama, nga ana e tij, beson se resorti luksoz mund ta forcojë më tej sektorin e turizmit, i cili tashmë është në rritje.
Ndërkohë, pakënaqësia nuk drejtohet më vetëm ndaj projektit të familjes Trump për një kompleks imobiliar me 10 mijë dhoma. Protestuesit kërkojnë tashmë edhe ndryshime kushtetuese, fundin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit./VRT.be
Rruga Press

