Editorial

Nga Bukureshti në Tiranë e Prishtinë: fundi i iluzionit postnacional

Nga Sadri Ramabaja

Miratimi në heshtje nga Dhoma e Deputetëve e Rumanisë i një projektligji që parasheh hapjen e
negociatave për bashkimin me Moldavinë mund të interpretohet si një incident procedural parlamentar.
Megjithatë, reduktimi i kësaj ngjarjeje në një çështje teknike do të nënkuptonte injorimin e domethënies
së saj më të thellë politike. Në realitet, ajo shënon rikthimin e çështjes kombëtare në zemër të debatit
evropian dhe vë në pikëpyetje një nga supozimet themelore mbi të cilat është ndërtuar projekti i integrimit
evropian: se epoka e kombeve historike po i afrohet fundit dhe se identitetet politike do të zëvendësohen
gradualisht nga struktura mbikombëtare.

Për dekada me radhë, establishmenti evropian ka promovuar idenë e një rendi postnacional, në të cilin
kufijtë shtetërorë humbasin rëndësinë e tyre politike ndërsa sovraniteti transferohet drejt institucioneve
supranacionale. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit – nga Brexit-i e deri te ringjallja e lëvizjeve
sovraniste në shumë vende të kontinentit – kanë dëshmuar se kombi mbetet njësia themelore e
legjitimitetit demokratik
. Rasti rumuno-moldav është vetëm manifestimi më i fundit i kësaj tendence. Ai
tregon se, pavarësisht globalizimit dhe integrimit evropian, kombet vazhdojnë të jenë subjektet kryesore të
historisë.

Në këtë kontekst, rasti shqiptar fiton një relevancë të veçantë. Nëse unionistët rumunë argumentojnë se
ndarja e Moldavisë ishte produkt i imponimeve gjeopolitike dhe i marrëveshjeve të fuqive të mëdha,
atëherë edhe në hapësirën shqiptare ekziston një narrativë historike e ngjashme. Kufiri që ndan sot
Shqipërinë dhe Kosovën nuk është rezultat i një diferencimi kombëtar midis dy popujve të ndryshëm, por
pasojë e një rendi ndërkombëtar të ndërtuar në fillimshekullin XX [Konferenca e Ambasadorëve në
Londër – 1913], kur fuqitë e mëdha vendosën kufijtë e Ballkanit sipas interesave të tyre strategjike dhe jo
sipas parimit të vetëvendosjes së popujve.

Pikërisht këtu bie në sy varfëria konceptuale që ka karakterizuar diskursin zyrtar shqiptar gjatë tri
dekadave e gjysmë, që kur u shemb sistemi komunist dhe filloi epoka e iluzionizmit politik për “bashkim
në BE”! Deklaratat tashmë të konsumuara të establishmentit politik në Tiranë, të shoqëruara nga
qëndrimet po aq statike të një pjese të nomenklaturës së vjetër politike në Kosovë, sipas të cilave
bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të realizohej automatikisht brenda Bashkimit Evropian, rezultojnë
sot të kenë qenë më shumë produkt i një injorance politike sesa i një vizioni strategjik. Ky formulim
shërbeu për vite me radhë si alibi për të shmangur debatin serioz mbi të ardhmen politike të kombit
shqiptar dhe mbi format konkrete të integrimit kombëtar.

Në fakt, vetë zhvillimet në Evropë po dëshmojnë të kundërtën. Nuk janë strukturat supranacionale ato që
po e zëvendësojnë kombin, por kombet që po rikthehen si faktorë përcaktues të rendit politik evropian. Në
këtë kuptim, integrimi evropian nuk e zgjidh automatikisht çështjen kombëtare shqiptare; ai vetëm krijon
një mjedis më të favorshëm për trajtimin demokratik dhe paqësor të kësaj çështje.

Për këtë arsye, debati mbi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të reduktohet më në
retorikën e konsumuar të “bashkimit në BE”. Çështja shtrohet tashmë në terma shumë më konkretë: si
mund të ndërtohen mekanizma të përbashkët politikë, ekonomikë, institucionalë dhe të sigurisë, që
gradualisht do ta shndërrojnë hapësirën shqiptare në një organizëm të vetëm funksional? Në këtë prizëm,
koncepti i një Federate Shqiptare nuk duhet parë si slogan romantik apo si formulë nacionaliste, por si një
model i mundshëm institucional i integrimit kombëtar në kushtet e shekullit XXI.

Precedenti rumun e bën këtë debat jo vetëm legjitim, por edhe aktual. Nëse dy shtete sovrane mund të
diskutojnë hapur dhe në mënyrë demokratike për perspektivën e bashkimit, atëherë edhe shqiptarët kanë
të drejtë të mendojnë dhe të projektojnë format e ardhshme të organizimit të tyre politik. Në këtë kuptim,
zhvillimet në Bukuresht mund të lexohen si sinjal se procesit të krijimit të një Federate Shqiptare po i
hapet gradualisht rruga në planin teorik, politik dhe diplomatik. Jo si rezultat i ndonjë aventure
revizioniste, por si pasojë e një realiteti të ri evropian, ku parimi i vetëvendosjes po rifiton terren përballë
dogmave të ngurtësuara të rendit postnacional.

Në fund, pyetja që ngre precedenti rumun nuk ka të bëjë vetëm me Moldavinë apo me Rumaninë. Ajo ka
të bëjë me vetë natyrën e rendit evropian: a është Evropa një bashkësi shtetesh të ngrira brenda kufijve
ekzistues, apo një bashkësi kombesh të lira që gëzojnë të drejtën demokratike për të përcaktuar të
ardhmen e tyre politike? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ndikojë jo vetëm në fatin e rumunëve dhe
moldavëve, por edhe në perspektivën afatgjatë të çështjeve tjera kombëtare në kontinent. Për shqiptarët,
kjo nënkupton se koha e shtyrjes së debatit strategjik po përfundon. Çështja e integrimit politik kombëtar
po rikthehet gradualisht në agjendën e historisë dhe, bashkë me të, edhe nevoja për të menduar seriozisht
arkitekturën institucionale të së ardhmes së kombit shqiptar.

Rruga Press

YouTube player