Gazeta belge: Rama gjithnjë e më i izoluar, ‘Revolucioni i Flamingove’ trondit regjimin
Me qindra media ndërkombëtare vazhdojnë t’i bëjnë jehonë protestave në Shqipëri.
Gazeta belge La Libre thekson që në titull se ‘Revolucioni i Flamingove’ po e trondit regjimin e Edi Ramës.
“”Një Shqipëri e re po lind”, pohojnë njëzëri protestuesit, shumica prej tyre shumë të rinj. Ditët e fundit, diaspora shqiptare, e cila ka nisur të kthehet në vend për pushimet verore, është bashkuar masivisht me marshimet, ndërsa mobilizime me nismën e saj po vazhdojnë në të katër anët e botës, në Francë, Belgjikë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara,” shkruan gazeta.
Sipas saj, Edi Rama është i dobësuar.
“Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet lëvizjes protestuese, që po e sfidon, me fyerje dhe sulme verbale, duke denoncuar “ndërhyrje të huaja” misterioze dhe duke pretenduar se lëvizja drejtohet madje nga “armiq të Shqipërisë dhe të Izraelit”. Kryeministri socialist i Shqipërisë mban marrëdhënie shumë të ngushta me qeverinë e Benjamin Netanyahut dhe nuk heziton të akuzojë të gjithë kritikët e tij për antisemitizëm. Për ta plotësuar këtë narrativë, ai përmendi më pas edhe mundësinë e ndërhyrjeve iraniane, por pa këmbëngulur shumë në këtë skenar pak të besueshëm,” shkruan gazeta.
“Javën e kaluar ai shkoi në Paris për të kërkuar mbështetjen e “mikut” të tij, Macron. Deri tani, Edi Rama ka gëzuar një lloj “çeku të bardhë” nga partnerët e tij evropianë, pasi ka harmonizuar politikën e jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, devijimet nga shteti i së drejtës po kritikohen gjithnjë e më shumë nga disa ambasada perëndimore në Tiranë, ndërsa afrimi i tij me administratën Trump po krijon gjithnjë e më shumë shqetësime. Edi Rama është gjithashtu anëtar i “Këshillit për Paqen”, të krijuar nga presidenti amerikan”.
“Ish-i burgosuri i diktaturës staliniste dhe një nga zërat moralë të Shqipërisë, shkrimtari Fatos Lubonja, shpjegon se Edi Rama i konsideron këto mbështetje ndërkombëtare si “sigurimin politik të jetës”. Megjithatë, kryeministri shqiptar është gjithnjë e më i izoluar dhe më i dobësuar. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat vendase, mbledhja e fundit me dyer të mbyllura e Partisë Socialiste ka qenë veçanërisht e tensionuar,” thekson media belge.
Rruga Press

