KryesoreLajme

Edi Rama u përpoq të ndikojë votën e europarlamentarëve për projektin e Zvërnecit

Në podiumin e improvizuar mbi një karrige para kryeministrisë të hënën në mbrëmje u ngjitën si folës disa deputetë të Parlamentit Europian të cilët mbështetën protestën qytetare në ditën e 30-të të saj, iniciuar si kundërshtim ndaj një projekti ndërtimi në zonën e Mbrojtur të lagunës Vjosë-Nartë.

Vizita e tyre në Shqipëri erdhi pasi PE miratoi me shumicë dërrmuese të votave një rezolutë që dënonte ndërtimet në zonën e Zvërnecit dhe i kërkonte qeverisë shqiptare vendosjen e një moratoriumi të ndërtimeve në Zonat e Mbrojtura deri në shfuqizimin e dispozitave ligjore që i kishin hapur rrugën betonizimit të tyre.

Ditën që rezoluta po diskutohej në seancën plenare të PE-së, mazhoranca socialiste kishte tentuar të ndikonte votën e deputetëve europian duke u kërkuar që të mos i mbështesnin këto amendamente.

Duke folur në protestë, eurodeputetja gjermane Jutta Paulus tha se “unë mora një email nga Edi Rama, i cili më kërkonte të mos votoja një amendament”.

“Por, sigurisht, ne votuam pro atij amendamenti, sepse ligji evropian duhet të respektohet dhe ai nuk është në shitje”- tha ajo.

Të martën Paulus publikoi emailin që i kishte dërguar asaj kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe deputetja Bora Muzhaqi, ku i kërkohej në mënyrë eksplicite që të mos votonte amendamentet me pretendimin se ato ishin bazuar mbi premisa të pavërteta.

Në emailin drejtuar anëtarëve të Parlamentit Europian, Balla dhe Muzhaqi pretendojnë se amendamentet janë rezultat i një ‘fushatë dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën” dhe u kërkojnë atyre që të mos i mbështesin.

Lexo më shumë  Nuk është Irani, Greqia, Kosova, Turqia, por Pakënaqesia

“Në të njëjtën frymë konstruktive, ju kërkojmë me respekt vëmendjen tuaj për këtë çështje dhe të mos mbështesni Amendamentet 4 dhe 17”- shkruhet në fund të këtij emaili.

Më tej ata paraqesin pretendimet e tyre si ‘fakte’, sipas të cilave “projekti në Zvërnec nuk ka të bëjë fare me Deltën e Vjosës dhe nuk ka marrë leje ndërtimi” dhe se para se të nisë ndërtimi do të bëhet një vlerësim i thelluar i ndikimit në mjedis dhe se qeveria nuk është pjesë e asnjë transaksioni pronësie në lidhje me këtë projekt.

Protestën qytetare e mbështeti të hënën dhe Zv.Presidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili e krahasoi qeverisjen e Ramës me një diktaturë.

“Nuk keni pse duroni diktaturën më, mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!”- iu drejtua ai protestuesve.

Ndërsa eurodeputetja Christina Guarda e cilësoi protestën si mbështetëse të vlerave europiane dhe duke paralelizuar gjestin e Kryeministrit Rama që ulet në gjunjë para kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ajo shtoi se “nuk hyhet në Europë duke u gjunjëzuar, duke i shërbyer askujt, hyhet me kokën lart duke e ditur se e meriton”.

Dy javë më parë gjatë një debati për progres-raportin e Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit europian përfshiu dhe një amendament që reflektonte shqetësime serioze për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë në Vlorë.

Lexo më shumë  Lubonja për "The Albanian Files": SPAK të hetojë ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura

Në formulimin e përfshirë në rezolutën përfundimtare, PE “shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që ato krijojnë për zonat me vlera të njohura ekologjike”.

Më tej PE i kërkon autoriteteve shqiptare që “të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, në përputhje me kërkesat afatgjata të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe me kriteret e mbylljes së Kapitullit 27”.

Duke marrë në konsideratë protestat masive paqësore që po mbahen në Shqipëri, PE po ashtu kërkon që “çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes së publikut me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile” .

Amendamenti për Vjosë-Nartën u propozua nga europarlamentarja Tineke Strik nga Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane, e cila ishte po ashtu e pranishme në Tiranë dhe mbështeti protestat qytetare kundër planeve të qeverisë ‘Rama’ për ndërtime masive që rrezikojnë shkatërrimin pa kthim të pasurive natyrore të Shqipërisë. /Reporter.al/

YouTube player