KryesoreLajme

Skandal/ Helmohen sërish nga ushqimi 50 studentë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri

Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar sërish nga ushqimi.

Sipas raportimeve, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 kursantët kanë pasur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.

Disa prej tyre kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.

Ky është rasti i dytë i helmimit masiv në Akademinë e Sigurisë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Më 7 maj të këtij viti, 56 studentë u paraqitën me simptoma të ngjashme pas konsumimit të ushqimit të shërbyer në akademi nga kompania “SORI-AL” e çiftit Nikolin Jaka dhe Alma Tafani.

Nikonin Jaka & Alma Tafani

Hetimet e kryera pas rastit të parë zbuluan se një prej mostrave ushqimore, konkretisht makaronat e gatshme, rezultoi e kontaminuar me bakterin Escherichia coli dhe stafilokok koagulazë pozitiv. Analizat e kryera nga laboratori i referencës pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), konstatuan se nga nëntë mostrat e marra për ekzaminim, vetëm njëra rezultoi jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.

Lexo më shumë  Përpjekja për manipulim: Pse Rama nuk flet për protestën, por për protestuesit?

Pas këtyre rezultateve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) urdhëroi bllokimin e aktivitetit të kompanisë “SORI-AL”, e kontraktuar për furnizimin me ushqim të Akademisë së Sigurisë. Subjekti u gjobit gjithashtu me 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe për shkelje të kushteve higjieno-sanitare.

Kontrollet e AKU-së u shtrinë edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku prodhoheshin ushqimet që shpërndaheshin në Akademinë e Sigurisë. Edhe aty u konstatuan probleme me higjienën, duke sjellë pezullimin e aktivitetit të kompanisë “SORI-AL” në ambientet e garnizonit.

Megjithatë, vetëm pak ditë pas bllokimit, AKU vendosi të zhbllokojë aktivitetin e “SORI-AL”, duke argumentuar se analizat e mëvonshme të marra nga ambientet dhe pajisjet e punës në kuzhinat e Akademisë së Sigurisë dhe Garnizonit të Forcave të Armatosura rezultuan brenda normave të lejuara të higjienës.

Ndërkohë, pas këtij vendimi, Prokuroria e Tiranës kërkoi shpjegime zyrtare nga AKU për procedurat dhe arsyet që çuan në heqjen e masës administrative, pavarësisht faktit se analizat laboratorike kishin konfirmuar praninë e baktereve në ushqimin e konsumuar nga studentët.

Lexo më shumë  Media italiane: Paga mjerane dhe korrupsion, pse protestojnë shqiptarët

Sakaq, në kuadër të hetimeve për helmimin e parë, Policia e Tiranës arrestoi Kujtim Ballgjinin, 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe Kristjana Plakën, 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë “SORI-AL”. Nën hetim u vendos edhe teknologia tjetër e ushqimit, R. Ç., ndërsa administratorja e kompanisë, Alma Tafani, u shpall në kërkim.

Kompania “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit dhe bashkëshortit të saj, Nikolin Jaka, ka furnizuar me ushqim Akademinë e Sigurisë prej shtatë vitesh. Siç ka raportuar më herët Boldnews.al, subjekti ka përfituar tre kontrata radhazi që nga viti 2019, pa garë dhe pa konkurrencë, ndërsa vlera e tarifës mujore është rritur me rreth 70 për qind gjatë kësaj periudhe. /boldnews.al/

YouTube player