KryesoreLajme

Vajza e Tahir Sinanit, Hero i Kombit: Taulant Balla i paskrupullt, përdhosi gjakun e babait tim

Vajza e Tahir Sinanit, dëshmorit të kombit, reagoi ashpër pasi kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla, në përpjekje për të njollosur Dritan Goxhajn nxori një letër pjesëtarësh të UÇK-së që kishin marrë pagesa duke i quajtur mercenarë.

Rugovë Sinani shkruan se ky është një poshtërim i rëndë për komandantin legjendar të UÇK-së.

“Sapo pashë letrën e publikuar nga Taulant Balla, kinse një listë me emrat e marcenarëve në UÇK, se kështu i quaka ai luftëtarët e lirisë. Një letër gjysmake, pa specifika, ku në krye qëndron emri i babait tim, Heroit të Kombit Tahir Sinani. Njeriu që sakrifikoi çdo gjë për çeshtjen kombëtare, çlirimtari i tre luftërave. Sot Taulant Balla, një mbetje e Politikës shqiptare, përdhos dhe fyen emrin dhe gjakun e babait tim.

TURP!!!!

Vetëm një i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Taulant Balla urgjentisht ti duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën! Gjaku i tij do ua thyejë qafën ty e gjithë atyre që prekin te plaga që hala dhemb.

Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike. E në qoftë se nuk e njeh ti Tahir Sinanin e njeh gjithë shqiptaria. Ai shkoi me lavdi po ti ça do lësh mbrapa?! Turp për ty!

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Detyra juaj është të mbroni të drejtat e veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe vlerave të luftës dhe jo të merreni me politikë nën petkun e UÇK-së nëpërmjet kësaj organizate. Përndryshe të shpërbëheni menjëherë si grup drejtues dhe të drejtohet nga persona që ia dinë vlerën luftës e gjakut të dëshmorëve.

Pas gati 25 vitesh nga rënia dëshmor e babit të përjetosh këtë poshtërim është e rëndë!” – shkruan vajza e dëshmorit të UÇK-së. 

Tahir Sinani, nga Tropoja, ishte oficer i Ushtrisë së Shqipërisë kur iu bashkua UÇK-së. Ai mori pjesë aktive në tri luftëra çlirimtare në hapësirën ballkanike.

Gjatë vitit 1998-1999, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shërbeu si komandant i shquar në Zonën Operative të Pashtrikut, duke udhëhequr operacione të rëndësishme luftarake kundër forcave serbe.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai kontribuoi në organizimin dhe strukturimin e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.

Lexo më shumë  Bizneset në Shqipëri raportojnë rënie të gjendjes financiare dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve

Tahir Sinani ra dëshmor më 29 korrik 2001 në Malet e Tanushës (në rrethinën e Gostivarit), gjatë një shpërthimi aksidental të municioneve në një depo armatimi të UÇK-së, ku humbi jetën së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë. 

Ai u varros me nderime të larta ushtarake dhe mban titullin e lartë Hero i Kombit. Në nëntor të vitit 2025, në nderim të figurës së tij, u zbulua një shtatore madhështore në qytetin e Prizrenit.

YouTube player