KryesoreLajme

Analisti politik francez: Rama të bindë protestuesit që s’është Kumbari, jo t’i fyej

Protestat në Tiranë janëshndërruar tashmë në një krizë të rëndësishme politike në vendin më të varfër të Europës

Një nga analistët e njohur francezë të politikës ndërkombëtare, Pierre Haski, ka komentuar sot në një nga rubrikat e tij në radion publike të Francës, atë që tashmë është njohur ndërkombëtarisht si “Revolucioni i Flamingove”.

Opinioni i gazetarit, që vjen menjëherë pas vizitës së Edi Ramës në Paris, i konsideron protestat në Tiranë si reagim ndaj korrupsionit që ka penguar zhvillimin e vendit.

Më poshtë komenti i plotë i Pierre Haski:

Një projekt turistik në një ishull të mbrojtur,  i mbështetur nga familja e Donald Trumpit, ka shkaktuar zemërimin e shqiptarëve prej javësh. “Revolucioni i flamingove rozë” po kthehet në një sfidë për kryeministrin Edi Rama, në një kohë kur Shqipëria po ecën me hapa të mëdhenj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në këtë “Revolucion të Flamingove Rozë” gjenden të gjithë përbërësit e kohës sonë: një zonë e mbrojtur e kërcënuar nga një projekt turistik, një aromë korrupsioni ende të paprovuar që ndez opinionin publik, një kryeministër i palëvizshëm që ndodhet në mandatin e tij të katërt dhe, për t’i vënë vulën historisë, paratë e familjes Trump. Mirë se vini në Shqipëri, e cila prej javësh jeton nën ritmin e protestave për të shpëtuar ishullin e Sazanit dhe strehën e tij të zogjve, përfshirë flamingot e famshme rozë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, një burrë shtatlartë i diplomuar në Shkollën e Arteve të Bukura, i cili sheh gjithnjë e më pranë ëndrrën shqiptare të anëtarësimit në Bashkimin Europian, është revoltuar nga akuzat e protestuesve që e vënë atë personalisht në shënjestër. Nuk është parë shpesh në një moment me frymëzim kaq të ulët si në intervistën e dhënë dje për Financial Times, ku për protestuesit tha: “Le të shkojnë të q…hen!”. Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam Kumbari; është detyra e tyre të provojnë se jam”, u shpreh ai me zemërim përballë akuzave për korrupsion.

Lexo më shumë  Pishina, muri dhe fasada e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës pa leje. Sulaj: Jam me certefikatë pronësie!

Javën e kaluar ai akuzoi Iranin se po nxit zemërimin e protestuesve në rrjetet sociale, për shkak të pranisë në Shqipëri të disa mijëra anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, grup opozitar iranian i strehuar në vend pas rrëzimit të Saddam Husseinit në Irak.

Gjithçka nisi kur Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, publikoi një video ku fliste për një ishull parajsor që kishte “zbuluar” gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe me bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Më pas erdhi projekti turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë, i mbështetur nga fondi i investimeve i dhëndrit të Donald Trumpit.

Kryeministri ngre një pyetje: a do të kishte shkaktuar ky projekt të njëjtën kundërshti nëse nuk do të ishte lidhur me familjen Trump? Është e vështirë të thuhet, aq më tepër kur një pjesë e bregdetit shqiptar është masakruar nga investime turistike të pakontrolluara, pa shkaktuar protesta të ngjashme.

Por, pavarësisht asaj që thotë Edi Rama, kjo është shndërruar tashmë në një krizë të rëndësishme politike në vendin më të varfër të Europës, ku korrupsioni ka qenë realisht një nga pengesat kryesore të zhvillimit që prej daljes nga komunizmi më dogmatik, më shumë se tri dekada më parë.

Lexo më shumë  Varfëria në rritje dhe kushtet jo të mira/ Sindikatat protestë para Ministrisë së Ekonomisë

Ky “Revolucion i Flamingove Rozë” ngjan me shumë lëvizje spontane që kemi parë vitet e fundit në vende të ndryshme të botës: pa liderë, pa organizata avangarde, por me aftësinë për të mobilizuar turma të mëdha njerëzish.

Léa Ypi, intelektualja shqiptare më e njohur, profesore e teorisë politike në London School of Economics, i ka dhënë mbështetjen e saj kësaj lëvizjeje. Ajo e sheh atë si një model të aktivizmit qytetar që nuk është parë që nga fundi i komunizmit, një kërkesë për respekt demokratik. Megjithatë, gjatë një vizite në Paris këtë javë, ajo shprehej realiste për mungesën e një perspektive politike që karakterizon lëvizje të tilla shoqërore.

Slogani i protestuesve, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron qartë një ideal që mbart shpresë në momentin kur vendi po përgatitet të hyjë në Bashkimin Europian, në parim përpara vitit 2030. Nëntëdhjetë për qind e shqiptarëve e mbështesin këtë anëtarësim, por njëkohësisht tregojnë se nuk janë të gatshëm ta shesin vendin e tyre kujtdo që ofron më shumë para. Mbetet që Edi Rama ta bindë “Revolucionin e Flamingove Rozë” se ai nuk është “Kumbari”; por këtë nuk do ta arrijë duke fyer protestuesit. 

Rruga Press

YouTube player