Lajme

Gjykata e Apelit të Kosovës e refuzon si të pabazuar ankesën e Blerim Isufajt

Gjykata e Apelit të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke e vërtetuar kështu vendimin e Gjykatës Administrative, me të cilin ishte refuzuar caktimi për masën e sigurisë në rastin e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit Blerim Isufaj nga Prishtina, ndërsa aktvendimi i aktvendimi i Gjykatës Administrative të Kosovës-Departamenti i Përgjithshëm, AP.nr.90/2026, i datës 05.06.2026, vërtetohet.”- thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Administrative më 05.06.2026 kishte refuzuar kërkesën për masë të sigurisë të kryeprokurorit të PSRK-së Blerim Isufaj në rastin e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

Ankesë kundër këtij vendimi të shkallës së parë, kishte paraqitur Isufaj përmes avokatit Artan Qerkini, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me propozim që të aprovohet ankesa e tyre dhe të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës i datës 05.06.2026.

Avokati Qerkini ka propozuar që aktvendimi i Gjykatës Administrative të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje. Qerkini përmes ankesës kishte kërkuar që të detyrohet pala e paditur, t’ia kompensoj paditësit shpenzimet e procedurës ankimore sipas tarifës së OAK.

Në vendimin e Apelit thuhet se përgjigjje në ankesë nuk ka ushtruar pala e paditur.

Lexo më shumë  “Rama jepe dorëheqjen”/ Sheshi plot për 23 ditë! The New York Times: Shqiptarët në protestë kundër qeverisë së korruptuar

Tutje, kolegji i apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se ankesa e paditësit është e pabazuar.

Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se përfundimi dhe qëndrimi juridik i Gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Sipas vendimit të Apelit, Ligji për Konflitet Administrative përcakton se duhet në mënyrë kumulative të plotësohen kushtet për caktimin e masës së sigurisë.

“Kjo dispozitë në mënyrë qartë përcakton se për caktimin e masë së sigurisë duhet të plotësohen në mënyrë kumulative dy kushtet e përcaktuara “1.1 marrja e masës të sigurisë është e domosdoshme për të shmangur një dëm të rëndë, të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesit të masës; 1.2.marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik.”- thuhet në vendimin e Apelit.

Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se vetëm pretendimi i paditësit se do t’i shkaktohet dëm, është argument i pamjaftueshëm për caktimin e masës së sigurisë kundër vendimit të kontestuar.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, dëmi duhet të jetë real, përkatësisht i pakthyeshëm dhe se i njëjti duhet të provohet me prova konkrete.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata Administrative e Kosovës, në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale, dhe se nuk është cenuar ligji në dëm të paditësit me rastin e refuzimit të kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar.

Lexo më shumë  Euro prek një tjetër minimum historik në Shqipëri

“Kolegji i apelit vlerëson se aktvendimi i ankimuar i Gjykatës së shkallës së parë nuk ka të meta për shkak të së cilave nuk mund të vlerësohet ligjshmëria e tij, dispozitivi i aktvendimit është i kuptueshëm, nuk është në kundërthënie me vetveten ose me arsyet e aktvendimit, dhe se aktvendimi përmban arsye të mjaftueshme dhe bindëse për gjendjen faktike dhe juridike, për të vendosur në këtë çështje juridike, të cilat në tërësi i aprovon edhe kolegji i apelit, dhe nga këto arsye ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i goditur me ankesë vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm.” – thuhet në vendim.

Ky vendim i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Hajriz Hoti (kryetar) Valon Totaj dhe Arsim Hamzaj (anëtarë).

Më 19.06.2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e 295-të miratoi pesë kandidaturat për Kryeprokuror të Shtetit.

Pesë kandidatët që janë në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.

Rruga Press

YouTube player