“Kjo nuk është rruga e duhur”: Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e projekteve në Vjosë–Nartë
Një grup studiuesish shqiptarë dhe të huaj zhvilluan këtë fundjavë një vizitë shkencore në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në vijim të shqetësimeve dhe debatit publik të shkaktuar nga projektet e zhvillimit turistik të planifikuara në këtë territor.
Pas vizitës në terren, studiuesit kërkuan ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve zhvillimore në zonë, duke argumentuar se Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri dhe Europë.
Profesori Aleko Miho tha se modeli i zhvillimit të propozuar për këtë territor nuk është rruga e duhur dhe se aktivitetet që cenojnë biodiversitetin dhe integritetin e zonës duhet të ndalen menjëherë.
“Kjo nuk është rruga e duhur e zhvillimit. Bëjmë thirrje që këto lloj aktivitetesh zhvillimore në këtë zonë të ndalohen menjëherë. Kjo zonë meriton prej vitesh të jetë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe të shihet një zhvillim në përputhje me kërkesat e mjedisit, ku në bazë të jetë zhvillimi i qëndrueshëm”, u shpreh Miho.
Profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës theksoi rëndësinë e veçantë të deltës së Vjosës për biodiversitetin dhe vlerësoi se mospërfshirja e të gjithë kompleksit natyror në parkun kombëtar mbetet një problem që duhet adresuar.
“Është e qartë se kemi një numër të jashtëzakonshëm habitatesh dhe ky diversitet duhet të ruhet. Nuk bëhet fjalë vetëm për flamingot, por për një pasuri shumë më të gjerë speciesh dhe habitatesh të rrezikuara”, tha Schiemer.
Sipas tij, komuniteti shkencor mund të ndihmojë në gjetjen e modeleve të zhvillimit që ruajnë natyrën dhe njëkohësisht krijojnë mundësi ekonomike për komunitetet lokale.
Akademiku Perikli Qiriazi solli në vëmendje disa prej vlerave më të veçanta natyrore të Zvërnecit dhe Nartës, duke veçuar dunat ranore, lagunat dhe ekosistemet ujore të zonës.
Ai ndaloi veçanërisht te laguna e Limopuos, duke theksuar rëndësinë e saj si një rezervuar i rrallë me ujë të ëmbël në mes të një kompleksi lagunor me ujë të kripur.
“Lagunat janë të kripura dhe ruajnë komunikimin me detin, ndërsa ky është një liqen me ujë të ëmbël. Është shumë e rëndësishme që në mes të një mjedisi të kripur të kemi një sipërfaqe kaq të madhe me ujë të ëmbël”, tha Qiriazi.
Ai përmendi gjithashtu kodrat molasike të Zvërnecit, të formuara nga procese natyrore bregdetare, si një tjetër element me vlerë të rrallë gjeologjike dhe peizazhore.
“Resortet mund ta kthejnë natyrën e mbrojtur në qytet turistik”
Profesori i Universitetit të Tiranës, Ferdinand Bego, tha se gjatë vizitës në terren grupi i studiuesve konstatoi ndërhyrje të dukshme në territor, përfshirë pastrimin e vegjetacionit dhe nivelimin e sipërfaqeve.
“Për dy apo tre ditë aktivitet të një firme që pretendohet se ka marrë leje për studime gjeologjike, ne pamë se ishte pastruar vegjetacioni, ishin sheshuar dunat dhe ishin hapur sheshe ndërtimi”, tha Bego.
Sipas tij, pavarësisht deklaratave se nuk ekziston ende një projekt konkret, fakti që janë dhënë leje zhvillimore tregon se planet për ndërtime ndodhen në një fazë të avancuar.
“Resortet turistike që shiten si modele zhvillimi mund të kthehen në zona urbane të veshura me emrin ‘luxury resorts’. Ekosistemet natyrore dhe habitatet e krijuara për qindra e mijëra vite rrezikojnë t’ia lënë vendin qyteteve dhe fshatrave turistike që do të jenë qendra të mirëfillta banimi”, u shpreh ai.
Bego paralajmëroi se një zhvillim i tillë mund të sjellë humbjen e një pasurie natyrore me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për brezat e ardhshëm.
“Sado i bukur të shitet dhe sado t’i vishen emra si ‘Dubai’ apo ‘Maldive’, një gjë është e sigurt: Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë për të fituar gjë, por do të humbasin një thesar të jashtëzakonshëm natyror që përfaqëson një nga ekosistemet më të ruajtura në rajon”, tha ai.
Protesta e flamingove është protestë për gjithë biodiversitetin
Taulant Bino nga AOS Albania tha se simbolika e flamingove nuk duhet parë si mbrojtje e një specieje të vetme, por si një alarm për të gjithë ekosistemin.
“Kjo protestë po quhet e flamingove si simbolikë, por është edhe protesta e pelikanëve dhe e shumë gjallesave të tjera. Është protesta e atyre që duan ta mbrojnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri ndër breza”, tha Bino.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në zonë u vunë re flamingo në prag të sezonit të folezimit, si dhe specie të tjera të rëndësishme shpendësh.
Sipas tij, kërcënimet për Vjosë–Nartën nuk lidhen vetëm me projektet në Zvërnec, por edhe me zhvillime të tjera të planifikuara përgjatë gjithë kompleksit natyror të deltës së Vjosës.
“Nëse lejohet të zhvillohet kështu Zvërneci, atëherë janë në kërcënim edhe të gjitha zonat e tjera të mbrojtura, si Butrinti, Karavastaja apo Buna–Velipoja”, përfundoi Bino.
Zona e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përfaqëson një nga komplekset më të rëndësishme lagunore dhe bregdetare në Shqipëri, me vlera të larta ekologjike, peizazhore dhe socio-ekonomike.
Kompleksi përfshin laguna, kripore, ligatina, pyje bregdetare me pishë, habitate dunore dhe kodra bregdetare, të cilat mbështesin një biodiversitet të pasur dhe shërbejnë si zona të rëndësishme për migrimin, ushqimin dhe folezimin e shpendëve.
Në muajin maj 2026 nisën ndërhyrje paraprake në kuadër të projektit për zhvillimin e një resorti turistik në territorin e zonës së mbrojtur. Këto zhvillime shkaktuan reagime të forta publike dhe çuan në nisjen e protestave që më pas u shndërruan në atë që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.
Edhe pse protesta nisi si një lëvizje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, me kalimin e javëve ajo është zgjeruar drejt kërkesave për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. /citizens.al/
Rruga Press

