Gërvalla viziton Akademinë e Kosovës për Siguri Publike: Siguria kërkon profesionistë të përgatitur
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku ka vlerësuar rolin e këtij institucioni në përgatitjen profesionale të kuadrove në fushën e sigurisë.
Gjatë vizitës, Gërvalla, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Dibranin, është pritur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Akademisë, Shpend Shabani.
Sipas saj, në fokus të takimit ishin zhvillimi institucional i Akademisë, programet trajnuese, akreditimet vendore e ndërkombëtare, si dhe kapacitetet për trajnimin teorik dhe praktik të gjeneratës së re të zyrtarëve korrektues.
Gërvalla ka theksuar se Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet një institucion kyç për ngritjen e standardeve të trajnimit dhe profesionalizimit në sektorin e sigurisë.
“Institucionet e forta ndërtohen mbi profesionistë të përgatitur mirë, ndërsa siguria publike kërkon gatishmëri për t’iu përgjigjur sfidave tradicionale, por edhe atyre që burojnë nga hapësira digjitale dhe teknologjitë e reja”, ka deklaruar ajo.
Ministrja në detyrë ka përgëzuar edhe kadetët e rinj, duke i inkurajuar që profesionin e tyre ta ushtrojnë me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shërbimit publik.
Ajo ka vlerësuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, ndërsa profesionalizmi i zyrtarëve të këtij institucioni, sipas saj, është garanci për funksionimin e një shteti demokratik dhe sundimin e ligjit.
Postimi i Plotë:
Akademia e Kosovës për Siguri Publike, shtyllë e përgatitjes profesionale në siguri
Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të SHKK-së z. Dibrani vizituam Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u pritëm nga UD. i Drejtorit të Përgjithshëm, z. Shpend Shabani.
Zhvillimi institucional i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, programet trajnuese dhe të arriturat e saj, përfshirë akreditimet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe hapësirat e trajnimit teorik dhe praktik të gjeneratës së re të zyrtarëve korrektues ishin në fokus të kësaj vizite.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet institucion kyç në ngritjen e standardeve të trajnimit dhe profesionalizimit në fushën e sigurisë publike. Vlerësova punën dhe përkushtimin e Akademisë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së trajnimeve, me theks te sfidat bashkëkohore të sigurisë që kërkojnë investim të vazhdueshëm në dije, aftësi profesionale dhe kapacitete njerëzore.
Institucionet e forta ndërtohen mbi profesionistë të përgatitur mirë, ndërsa siguria publike kërkon gatishmëri për t’iu përgjigjur si sfidave tradicionale, ashtu edhe atyre që burojnë nga hapësira digjitale dhe teknologjitë e reja.
Me këtë rast, përgëzova gjeneratën e re të kadetëve për rrugëtimin që kanë zgjedhur dhe i inkurajova që profesionin e tyre ta ushtrojnë me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shërbimit publik. Shërbimi Korrektues është padyshim një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, ndërsa profesionalizmi i zyrtarëve brenda këtij institucioni mbetet garanci për funksionimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës.
Rruga Press

