KryesoreLajme

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve, prioritet konstituimi i institucioneve – për presidentin na duhet bashkëpunim me opozitën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritet do të jetë konstituimi sa më i shpejtë i institucioneve të legjislaturës së re, ndërsa ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit ose presidentes nevojitet bashkëpunimi me opozitën.

Kurti tha se fillimisht duhet të përmbyllet procesi zgjedhor, para se të nisin hapat për formimin e institucioneve të reja.

“Tash është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.

Lexo më shumë  Dy plane të fshehta resortesh në Darëzezë dhe deltën e Vjosës

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta realizojë e vetme këtë proces dhe se do të kërkohet bashkëpunim me partitë opozitare.

“Por, natyrisht ju e dini që për çështjen e presidentit, zgjedhjes së presidentit ose presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, që t’ju them të drejtën ka pasur shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë. Dhe ne kemi pasur shumë shembuj kur kemi pasur një lloj aktivizmi juridik. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, tha ai.

Lexo më shumë  Ekzekutohen nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat, Murati njofton edhe për mbështetjen e studentëve

Rruga Press

YouTube player