Bota

Izraeli thotë se nuk tërhiqet nga tokat e pushtuara në Liban, Siri e Gazë

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë të hënën se Izraeli nuk do të tërhiqet nga toka e pushtuar në Liban, duke sfiduar potencialisht marrëveshjen e përkohshme që Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur orë më parë, e cila përfshin hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe zgjatjen e mëtejshme të armëpushimit të hyrë në fuqi më 8 prill.

Detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar ende dhe Irani ka sinjalizuar se zbatimi nuk do të fillojë deri në nënshkrim, ceremoni për të cilën ndërmjetësi kryesor, Pakistani, ka thënë se do të zhvillohej të premten në Zvicër.

Por memorandumi i mirëkuptimit mbi luftën tashmë po has në pengesa. Armiqësitë e vazhdueshme të Izraelit me milicinë Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, ku Izraeli bombardoi periferitë jugore të Bejrutit të dielën, pothuajse i prishën negociatat.

Lexo më shumë  Britania ndalon mediat sociale për nën 16-vjeçarët

Izraeli i është bashkuar SHBA-së në nisjen e luftës më 28 shkurt.

Në komentet e para zyrtare izraelite pas njoftimit të marrëveshjes, ministri Katz ka thënë se Izraeli nuk do të tërhiqet nga toka e pushtuar në Liban, ndërsa marrëveshja e përkohshme është në pritje. 

Katz ka thënë se Izraeli planifikon të qëndrojë “për një kohë të pacaktuar” në tokat që mban në Liban, si dhe në Siri dhe Rripin e Gazës. Irani e ka lidhur marrëveshjen e përkohshme mbi luftën me ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Hezbollahut në Liban.

Katz ka kërcënuar gjithashtu se nëse Irani sulmon Izraelin për shkak të sulmeve izraelite në Liban, Izraeli do ta godasë Iranin me “forcë të madhe”.

Gjatë 2 vjetëve e gjysmë të fundit, Izraeli ka marrë kontrollin e zonave në Gazë, Liban dhe Siri që arrijnë në 1,000 kilometra katrorë territor, një zonë që është pak më e vogël se qyteti i Neë Yorkut.

Lexo më shumë  BE-ja nis negociatat e anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë

Ndërkohë, marrëveshja midis SHBA-së dhe Iranit jep vetëm 60 ditë për të vendosur se çfarë duhet bërë në lidhje me rezervat e uraniumit të pasuruar shumë të Iranit dhe programin e tij atomik. 

Kjo u desh me vite për t’u zgjidhur në marrëveshjen bërthamore të Teheranit të vitit 2015 me fuqitë botërore. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga ajo marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë, duke përgatitur terrenin për tensionet që kulmuan në luftë.

“Urime të gjithëve!”, ka shkruar Trumpi në mediat sociale ndërsa festoi ditëlindjen e tij të 80-të të dielën.

Rruga Press

YouTube player