Lajme

“Të zhdukurit” boshnjakë të kohës së luftës kujtohen me trëndafila

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, nga Ura e Vjetër në qytetin e Mostarit u hodhën trëndafila në nderim të rreth 7,600 njerëzve që u zhdukën gjatë luftës në Bosnjë dhe që nuk janë gjetur ende.

Një event përkujtimor për të kujtuar ata që u zhdukën gjatë luftës në Bosnjë 1992-1995 dhe për të shënuar Ditën e të Zhdukurve u mbajt në qytetin e Mostarit të hënën nga Instituti i Personave të Zhdukur të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe shoqatat e viktimave të luftës nga i gjithë vendi.

“Trëndafilat e bardhë u hodhën në lumin Neretva nga Ura e Vjetër në Mostar në orën 12 pa pesë në nder të viktimave, personave të zhdukur të cilët nuk janë gjetur ende”, tha Emza Fazlic, zëdhënëse e Institutit të Personave të Zhdukur.

Ajo tha se pjesëmarrësit më pas ecën së bashku drejt sheshit Spanski, ku është hapur një ekspozitë për personat e zhdukur nga Adis Hukanoviç, e titulluar “Ku janë ata?”.

Dijana Strujiç, kryetare e Shoqatës së Familjeve të Veteranëve Kroatë të Vrarë dhe të Zhdukur nga Bugojno, tha se ajo ka 28 vjet që kërkon bashkëshortin e saj Mihovilin.

Ajo tha se ai u mbajt fillimisht në një hotel në Bugojno, pastaj në kampe të ndryshme paraburgimi, më i keqi prej të cilëve ishte në stadiumin e futbollit Iskra.

Lexo më shumë  Kurti uron Von der Leyen: Mezi presim të punojmë së bashku për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit

“Ata u dërguan në Rostovo në fund të shtatorit 1993. Nuk e di fatin që pati im shoq që nga ajo datë. E njëjta gjë vlen edhe për 19 persona të tjerë që u çuan në Rostovo me të”, tha Strujiç.

Ajo tha se beson se eshtrat e burrit të saj janë në Rostovo, ku janë gjetur eshtrat e katër personave të tjerë, por do të jetë e vështirë që ato të gjenden nëse autorët e krimeve nuk gjykohen dhe nëse ata nuk tregojnë se ku janë varrosur trupat.

“Ne jemi të gjithë të bindur se ata janë atje, por do të jetë e vështirë të gjenden eshtrat e njerëzve tanë të dashur pa autorët e krimeve”, shpjegoi ajo.

Elvir Custo, i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur Istina – Kalinovik ’92, tha se ai ka qenë në kërkim të vëllait të tij, i cili ishte 17 vjeç në kohën e zhdukjes së tij, që nga viti 1992.

Vëllai i tij ishte midis 23 boshnjakëve të cilët “u vranë dhe më pas u dogjën” në një hambar në Ratine në komunën e Focas, tha ai. Varri i hambarit është zhvarrosur, por vetëm disa eshtra u gjetën, shtoi ai.

“Autorët e krimit e zhvendosën varrin, kështu që ishte e pamundur të gjendeshin të gjitha eshtrat e njerëzve të vrarë”, tha Custo.

Lexo më shumë  Vihet gur themeli i tregut të gjelbër në Podujevë

Ai pohoi se autoritetet komunale në Kalinovik nuk kanë vullnetin për të ofruar ndonjë ndihmë në kërkimin e boshnjakëve që janë ende të zhdukur.

“Sa i përket kërkimit të të zhdukurve, familjet po përballen me probleme të mëdha, sepse shumë nëna, për fat të keq, kanë vdekur pa gjetur të dashurit e tyre. Nëna ime Hasna është një prej tyre. Ajo nuk jetoi për të gjetur djalin e saj dhe për ta varrosur siç duhet”, tha Custo.

Milan Mandiç, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur nga Rajoni Sarajevo-Romanija, tha se ai ka 29 vjet që kërkon babanë e tij Bozo Mandiç.

Babai i tij ishte 66 vjeç dhe me aftësi të kufizuara në kohën kur u zhduk.

“Kam që më 24 qershor 1992 që e kërkoj ende babanë tim. Nuk besoj se do ta gjej ndonjëherë”, tha Mandiç.

Fazliç tha se 7,604 persona të zhdukur nga lufta në Bosnje janë ende në kërkim.

“Në zonën e Srebrenicës, ne jemi në kërkim të rreth 1,200 personave të zhdukur”, tha zëdhënësja e Institutit të Personave të Zhdukur.

Megjithatë, eshtrat e 25,500 personave të zhdukur nga lufta e viteve 1992-1995 janë gjetur, shtoi ajo: “Rreth 80 për qind e të zhdukurve janë gjetur, identifikuar dhe iu janë dorëzuar familjeve të tyre.”/balkaninsight/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *