KryesoreLajme

Protesta në Shqipëri “thyen” faqen e prestigjozes The Guardian, bëhet artikulli kryesor dhe më i lexuari

Artikulli i medias britanike The Guardian mbi protestat kundër projektit të resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner në Shqipëri ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare.

Shkrimi me titull “Protestat në Shqipëri po intensifikohen për resortin luksoz të mbështetur nga Kushneri” jo vetëm që është vendosur në ballinën kryesore të The Guardian, por është renditur edhe si lajmi më i lexuar në këtë media.

The Guardian konsiderohet një nga mediat më të mëdha në botë, duke u renditur vazhdimisht ndër faqet më të vizituara të lajmeve në nivel global dhe duke konkurruar me mediat më të mëdha ndërkombëtare për audiencën digjitale.

Lexo më shumë  New York Times i bën jehonë protestës për Zvërnecin: Tejkaloi çështjet mjedisore! U kthye në simbol të pakënaqësive politike ndaj qeverisë

Lidhur me jehonën që ka marrë artikulli, ka reaguar pedagogu i gazetarisë dhe shkencave të komunikimit, Ervin Goci.

“Revolucioni i Flamingove e theu faqen e ‘The Guardian’… për mua që merrem me komunikimin, kjo do të thotë, ashtu siç e formulonte një blogger i mençur, që Shqipëria sot është një mikrokozmos, ku kanë hedhur sytë e vëmendjen edhe shumë shtete të tjera. Shqipëria po bën atë luftë që shumë të tjerë e kanë bërë para nesh dhe shumë të tjerë mund të marrin mësim, që shteti nuk jepet për real-estate dhe nuk është truall ndërtimi apo pusete ku shkarkojnë ujërat e zeza të gjithë të pangopurit nëpër botë”, ka shkruar Goci.

Lexo më shumë  Costa nis vizitën në Kosovë, takon Haxhiun

Artikulli i The Guardian trajton protestat dhe kundërshtimet ndaj projektit të investimit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, duke e vendosur debatin mbi zhvillimin e bregdetit shqiptar në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar.

Fakti që lajmi është bërë më i lexuari në një prej mediave më të mëdha globale shihet si tregues i interesit në rritje që zhvillimet në Shqipëri po zgjojnë jashtë vendit, veçanërisht kur lidhen me çështje të mjedisit, zhvillimit urban dhe investimeve strategjike.

YouTube player