Në veri të Mitrovicës vendosen tabelat me emrat e rinj të rrugëve
Në hyrje të veriut të Mitrovicës janë vendosur tabelat e para me emërtimet e reja të rrugëve, në kuadër të procesit të riemërtimit të 88 rrugëve në këtë komunë.
Ministrja e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se vendimi është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe se aktualisht po realizohet faza teknike e vendosjes së tabelave.
Pranë rrethrrotullimit në hyrje të pjesës veriore të Mitrovicës janë vendosur tabela me emërtimet si “Isa Boletini”, në kuadër të procesit të riemërtimit të rrugëve në këtë komunë.
Ministrja e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deklaroi se gjithsej 88 rrugë në veri të Mitrovicës kanë marrë emra të rinj dhe se emërtimet janë zgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme komunale.
Sipas saj, komiteti përgjegjës ka punuar intensivisht për dy muaj për çështjen e emërtimit të rrugëve.
“Është votuar në Kuvend dhe tani po i vendosim (emërtimet), sepse bëhet fjalë për një procedurë teknike”, deklaroi Pacolli.
E pyetur nga gazetarët për mungesën e kryetarit të veriut të Mitrovicës, Milan Radojeviq, gjatë vendosjes së tabelave, Pacolli tha se projekti po realizohet nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.
Rruga Press

