KryesoreLajme

Serwer: Vuçiqi po pret mundësinë për ta marrë veriun e Kosovës

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po pret një moment të favorshëm gjeopolitik për të avancuar synimet e tij ndaj Kosovës.

Në një intervistë në “A2 CNN”, Serwer ka thënë se është e qartë se Serbia po synon të paktën veriun e Kosovës, duke pritur rrethana më të favorshme ndërkombëtare.

“Është e qartë se Serbia nën Vuçiqin po pret për një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrë të paktën veriun e Kosovës, sepse nuk ka interes për pjesën tjetër të territorit, pasi do të përballej me një luftë guerile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, u shpreh ai.

Lexo më shumë  Kurti në Gjakovë: Do ta kemi edhe segmentin që e lidh Gjakovën me Shkodrën, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës

Serwer foli edhe për praninë ushtarake amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se në të ardhmen mund të ketë reduktim të trupave amerikane. Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për një skenar të tillë dhe të forcojë partneritetet e saj strategjike.

Ai sugjeroi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mund të luajë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së Kosovës, duke shtuar praninë e saj ushtarake në vend nëse paraqitet nevoja.

“Do të doja të shihja më shumë trupa amerikane në Kosovë dhe të qëndronin aty, por nuk do të habitesha nëse do të kishte ndonjë tërheqje. Kosova duhet të mësohet edhe me këtë mundësi”, ka thënë ai.

Sipas Serwerit, prioritet strategjik për Kosovën duhet të mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi integrimi në aleancën veriatlantike do të zgjidhte shumë nga sfidat e sigurisë me të cilat përballet vendi.

Lexo më shumë  SPAK nis hetimet për aferën e Zvërnecit

Megjithatë, ai theksoi se procesi i anëtarësimit mund të vështirësohet nga mungesa e një qeverie të qëndrueshme, duke shtuar se bota nuk do të presë pafundësisht derisa Kosova të kapërcejë ngërçin politik.

“Kosova duhet të lobojë që të hyjë në NATO sa më shpejt, si një shtet me ushtri të mirëkualifikuar. Por është e vështirë të imagjinohet që NATO të pranojë një anëtar të ri pa një qeveri të qëndrueshme”, përfundoi Serwer.

Rruga Press

YouTube player