Një natë në hotel luksi me Edi Ramën (Ose si të na pëlqejë kur të na q*jnë të pasurit)
Shkruan Egon Loli
Kryeministri e tha më në fund me elegancën cinike të një kamarieri të oligarkisë: Shqipëria nuk duhet të mbetet më te turizmi “me bukë me vete” por duhet të hyjë në epokën e turistit me kartë platini, të sheikut me jaht, të dhëndrit me fond investimi, të resortit që zbret nga qielli si shpëtim hyjnor mbi popullin që ende nuk ka mësuar të gëzohet kur ia rrethojnë detin.
Modeli është ky: shqiptari të zbythet nga plazhi me peshqir në dorë sepse po vjen klienti i klasit; fshatari i regjur të harrojë rrugën sepse po vjen marka globale; banori të mos pyesë më për tokën sepse po vjen zhvillimi!
Mirë se vini në ekonominë e re: ti humb horizontin, tokën dhe detin, por fiton mundësinë të punosh turni i dytë në resort. Gardhi është programi ekonomik, teli me gjemba manifesti politik dhe protestuesi i tërhequr zvarrë broshura e parë promocionale e turizmit elitar të Edi Ramës!
Ekonomistët e mëdhenj do ta kishin njohur menjëherë këtë skemë. David Harvey do ta quante akumulim përmes shpronësimit: merret hapësira e përbashkët dhe kthehet në rentë private. Polanyi do të thoshte se toka nuk është mall si gjithë të tjerët, sepse kur e shkul nga jeta e njerëzve, shkul edhe shoqërinë. Hirschman do të pyeste: çfarë lidhjesh krijon ky investim, apo thjesht një ishull luksi që importon gjithçka dhe eksporton fitimin? Piketty do të shihte rentën: disa pasurohen nga toka, shumë të tjerë shesin punën. Wallerstein do ta vendoste Shqipërinë në hartën e periferisë elegante: vendi që nuk prodhon fuqi, por ofron peizazh – nuk ndërton industri, por shërben koktej.
Një Mal i Zi pa garanci, një Dubai pa naftë, Maldivet pa oqean, Karaibe me rrogë shqiptare. Thuaj faleminderit që të lanë të jesh kamarier, taksist dhe eskortë në tokën tënde.
Në modelin e Edi Ramës, shqiptari nuk është zot i bregdetit por pjesë e stafit; nuk është më komunitet por indigjen rezervati (taleban pra); nuk është më njeri me rrënjë e dinjitet por vajzë që mishëron fantazitë erotike të klientit të pasur dhe djalë që ruan gardhin ku dikur kalonte vetë.
Në Zvërnec po inaugurohet një rend i ri poshtërimi.
Prandaj protestat në Tiranë janë kundër kthimit të Shqipërisë në bordello territoriale të luksit global, ku secili merr diçka: oligarku merr tokën, investitori merr ekonominë, politika merr lavdinë, klienti merr kënaqësinë, ndërsa vendasit marrin atë muhabetin.
Nëse ky model fiton, nesër nuk kemi më bregdet shqiptar, por copa Shqipërie me hyrje me tra – sot Zvërneci, nesër Sazani, pasnesër Karaburuni, Divjaka, çdo lagunë, çdo pyll, çdo vend që ende nuk është shitur si “eksperiencë premium”. Shqipëria do të bëhet gjithnjë e më e bukur për ata që paguajnë dhe gjithnjë e më e huaj për ata që kanë lindur këtu. Prandaj kur Batoni, Borati, Qimi, Koli, Mastrolindoja, Top Kuplaraja, Klan Bundra dhe lëpirësit e tjerë sa majtas, djathtas të na thonë se kjo quhet zhvillim, përgjigjja është e thjeshtë: Kur një popull përjashtohet nga vendi i vet, nuk është zhvillim por kolonizim me pesë yje!
Rruga Press

