Nga ligji te gardhi me gjemba: si u dorëzuan zonat e mbrojtura
Nga Lorin Kadiu, Citizens.al
Ajo që sot po ndodh në Zvërnec, Pishë–Poro–Nartë dhe në zonat e mbrojtura të Shqipërisë nuk është rastësi e as vullnet i muajve të fundit. Zhveshja e natyrës nga mbrojtja në favor të ndërtimit vjen pas një procesi disa vjeçar ku ligjet që duhet të mbronin natyrën, po përdoren për ta shkatërruar atë.
Qeveria shqiptare po vë në jetë vizionin e saj duke injoruar çdo kundërshti. Ruajtja e mjedisit u zëvendësua nga logjika e “zhvillimit”, resorteve masive dhe investimeve strategjike nga veriu në jug të vendit. Ky vizion u vu në jetë duke përdorur pushtetin e përqendruar, mungesën e transparencës dhe konsultimeve reale, për t’i dhënë avantazhe të padrejta klienteliste dhe fuqi mbiligjore një grupi të ngushtë investitorësh.
Paralajmërimi i parë erdhi në dhjetor 2023. Citizens.al raportoi se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për zonat e mbrojtura” nuk ishin thjesht ndërhyrje teknike. Ato preknin nenin 16 të ligjit, duke hapur mundësinë që projekte të miratuara nga KKT, të cilësuara me “rëndësi kombëtare”, të ndërhynin në zona ku më parë ndaloheshin ndërtimet urbane, infrastruktura energjetike, hidrocentralet apo sistemet e naftës dhe gazit.
Me këtë formulim, përjashtimi kthehej në rrugë zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës bëhej e negociueshme.
Një muaj më vonë, në janar 2024, paralajmërimi mori formën e një gare me kohën. Ndryshimet për zonat e mbrojtura, të propozuara nga 12 deputetë të Partisë Socialiste, u programuan për shqyrtim vetëm në dy komisione parlamentare, ndërsa deputetja Jorida Tabaku kërkoi që diskutimi të zgjerohej edhe në Komisionin e Çështjeve Evropiane.
Shqetësimi kryesor ishte se projektligji nuk merrte në konsideratë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa organizata mjedisore, akademikë dhe grupe interesi kërkonin më shumë kohë, dëgjesa publike dhe transparencë.
Në vend të një debati të thelluar për të ardhmen e parqeve kombëtare dhe peizazheve të mbrojtura, procesi po ecte me ritëm të përshpejtuar. Kjo e bëri edhe më të qartë se ndryshimet në ligji nuk kishin për qëllim të mbronin natyrën, por ti hapnin rrugë ndërtimit në territore që deri atëherë kishin mbrojtje të posaçme.
“Paralajmërimi i parë vjen nga Divjaka”
Sinjalet e para të etjes për ndërtim në zonat e mbrojtura kishin nisur, 12 deputetë socialistë kërkonin ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura që rrëzonte zonimet. Resorti “Kingcoast Divjaka” (ende i parealizuar), për herë të parë trajton Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta si një destinacion turistik të integruar, me ndërhyrje që shtriheshin në të gjithë territorin e tij.
Projekti, në një material 200 faqesh, parashikonte transformime të gjera në peizazh, me ndërtime, rrugë të asfaltuara, platforma artificiale dhe vegjetacion të kultivuar, duke rrezikuar pishat mesdhetare, zonën qendrore me mbrojtje strikte dhe vetë karakterin ekologjik të parkut.
Edhe pse projekti nuk është konkretizuar ende, ai tregoi si argumenti i “zhvillimit” dhe “rikthimit të shqiptarëve” mund të përdorej për të paraqitur ndërhyrjet brenda parqeve kombëtare si shpëtim ekonomik, në një moment kur ndryshimet e propozuara në ligjin për zonat e mbrojtura po e bënin më të lehtë këtë lloj ndërhyrjeje.
Delta e Vjosës jashtë mbrojtjes së plotë
Në prill 2024, presioni mbi natyrën u bë edhe më i qartë në deltën e Vjosës, një nga ekosistemet më të ndjeshme bregdetare të vendit. Delta, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, ishte lënë jashtë Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, ndërsa sipërfaqja ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës ishte hequr tërësisht nga harta e zonave të mbrojtura.
Në të njëjtën kohë nisën të artikuloheshin edhe projekte resortesh luksoze në zonat e mbrojtura, ndërsa projekti i Jared Kushner për Sazanin e forconte edhe më shumë idenë se bregdeti dhe pasuritë publike po trajtoheshin si portofol zhvillimi privat.
Kështu, Vjosa shpallej e mbrojtur si lumë, por delta e saj mbetej e ekspozuar nga ndërtimi i aeroportit, dhe resorteve të turizmit masiv.
Kur Peizazhet e Mbrojtura iu dorëzuan investitorëve
Në korrik 2024, paralajmërimi u kthye në mekanizëm konkret. Pas muajsh tentativa për të fshehur të vërtetën, qeveria publikoi projektaktet që tregonin natyrën e vërtetë të ndryshimeve ligjore. Peizazhet e Mbrojtura u hapën për ndërtime, infrastrukturë dhe aktivitete ekonomike që binin ndesh me vetë logjikën e mbrojtjes.
Në rastin e Pishë–Poro–Nartës, projektvendimi lejonte struktura akomoduese agroturizmi, kampingje, instalime të energjisë së rinovueshme, qendra për mbarështimin e peshkut, si dhe, me leje të KKT-së, ndërtimin e zonave urbane dhe autostradave.
Më e rëndësishmja, akti i ri shfuqizonte zonimin e vitit 2022, ku pjesë të territorit kishin shkallë më të lartë mbrojtjeje, dhe e trajtonte të gjithë Peizazhin si një trup të vetëm, me më pak ndarje mbrojtëse dhe më shumë veprimtari të lejuara.
Kjo ishte pika ku mbrojtja ra, dhe mori jetë vizioni i zhvillimit. Një territor që në letër mbetet i mbrojtur, por në praktikë bëhet shesh për rrugë, energji, struktura turistike dhe më pas resorte.
Ajo që shihet sot në Nartë me gardhe, leje të pazbardhura dhe projekte turistike nuk është devijim nga ligji, por pasojë e një sërë vendimesh që e bënë natyrën të negociueshme.
Në dhjetor 2025, kontradikta u bë edhe më e qartë, aktorë që duhet të mbronin natyrën nisën të mos e fshehin më publikisht nevojën për “zhvillim” e saj.
Në vend që institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës të vendosnin kufij ndaj presionit ndërtimor, gjuha e tyre iu afrua gjithnjë e më shumë asaj të investitorëve, turizmit dhe shfrytëzimit ekonomik.
Kjo e zhvendosi debatin nga pyetja si ruhen zonat e mbrojtura, te pyetja se sa mund të zhvillohen ato pa e humbur emrin “të mbrojtura”.
Lexo edhe: “Mbrojtës që kërkojnë zhvillim!”
Investimet strategjike si rrugë tjetër drejt privatizimit
Nëse ndryshimet për zonat e mbrojtura hapën rrugën për zhvillim brenda territoreve natyrore, ligji për investimet strategjike krijoi një tjetër kanal për t’i dhënë territorit publik status të veçantë zhvillimi.
Në mars 2026, rasti i Sazanit e tregoi këtë më qartë. Citizens.al raportoi se projekti i Jared Kushner për Sazanin, i shpallur si investim strategjik, nuk ishte një ndërhyrje e kufizuar në “8% të ishullit”, siç ishte komunikuar publikisht, por një plan që e konceptonte ishullin si kompleks të integruar privat, me rreth 448,000 m² ndërtime dhe afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie.
Projekti nuk kaloi përmes një gare të hapur ndërkombëtare, por përmes negociatash të drejtpërdrejta dhe të zgjatura, ku dokumentet, detyrimet ekonomike dhe kushtet e përdorimit të territorit mbeteshin të paqarta për publikun.
Në këtë kuptim, Sazani shërben si shembulli i qartë se si “zhvillimi strategjik” mund të kthehet në formulë për privatizimin faktik të territorit publik. Në të njëjtën kohë, firmoseshin dhjetëra vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtime resortesh, hotelesh dhe vilash nga veriu në jug të Shqipëirsë, shumë prej tyre me statusin e “Investimit Strategjik”.
Nga mbrjotja tek gardhi me gjemba
Në Zvërnec, logjika e zhvillimit ka kaluar më tej, duke u konkretizuar me të paktën tre leje apo miratime me kusht për resorte turistike në Nartë dhe Zvërnec.
Për shkak të mungesës së transparencës dhe moszbardhjes së vendimeve të plota, nuk ka ende informacion të qartë mbi vendndodhjen dhe shtrirjen konkrete të secilit projekt në terren.
Dokumentet zyrtare përmendin “Salterra 2”, kompleks turistik, hoteleri dhe shërbime 11 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, me subjekt zhvillues “Turi M.Z.P.”; “Arte Marea 1”, kompleks turistik me shtëpi pushimi, shërbime dhe hoteleri, me subjekt “Green Investment”; si dhe “Resort Turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, me subjekt “Zvërnec South Adriatic Development”.
Dokumentet tregojnë se zona është futur tashmë në një cikël miratimi të lejeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ngjashëm me atë që shihet masivisht në jug të vendit, në Rrjoll dhe Shengjin.
Kështu, nga veriu në jug, e njëjta përplasje po përsëritet, por me emra të ndryshëm. Në Rrjoll, konflikti mbi bregdetin dhe tokat e banorëve, në Sazan një ishull i konceptuar si resort privat, në Zvërnec dhe Pishë–Poro–Nartë, leje të pazbardhura, gardhe me gjemba, roje private që dhunojnë qytetarët.
Prona, bregdeti dhe natyra po trajtohen si hapësira të negociueshme për pak investitorë, ndërsa qytetarëve u mbetet të mësojnë për fatin e tyre kur në terren shfaqen tabelat, telat me gjemba apo fadromat. Në Shqipëri po ndërtohet një precedent i rrezikshëm: natyra shpallet pasuri publike, por negociohet si pronë private.
Rruga Press

