KryesoreLajme

Monografia e Prof. Dr. Enver Bytyçi botohet në Cambridge – Londër

Shtëpia Botuese Prestigjioze angleze në Londër, “Cambridge Scholars Publishing, ka njoftuar se me datën 22 maj 2026 ka nxjerrë nga shtypi për lexuesit monografinë teorike dhe historike “Russian Geopolitics in Eastern and Southeastern Europe”, e përkthyer në shqip “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore”! Kjo monografi është vepër e autorit, Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Monografia “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore” është një studim i thelluar i pranisë ruse në Evropën Lindore dhe Juglindore. Ukraina dhe Ballkani përfaqësojnë dy tematikat kryesore të politikës ekspansioniste në këtë rajon, të cilat trajton ajo. Vepra studimore në fjalë pasqyron dimensionet historike ashtu edhe ato bashkëkohore të orientimit rus drejt kontinentit europian, që nga shekulli XVIII e këtej. Zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e krijuara me Rusinë e bëjnë librin tërheqës dhe nxitës për të menduar dhe arsyetuar pse sot Rusia sërishmi synon të jetë aktive dhe prezent në Europën Lindore dhe Juglindore dhe pse ajo ndërmerr aventura ushtarake për të realizuar qëllimet e veta.

Autori trajton në më shumë se dy kapituj ndërhyrjen politike, diplomatike dhe ushtarake të Moskës në Ukrainë, Gjeorgji dhe gjetkë. Ngjarjet dhe konfliktin e sotëm ai e lidh me pikëpamjen e Kremlinit lidhur me atë që quhet “Bota Ruse”, ose teori të tjera si “Bota Sllave” etj, teori të kultivuara që nga fillimi i shekullit XIX e sidomos në shekullin e XX dhe XXI. Të gjitha këto zhvillime trajtohen në epoka të ndryshme historike, ku vend të veçantë zenë ato që nga fillimi i shekullit të kaluar me Luftërat Ballkanike e Luftën e Parë Botërore, më pas ato të Luftës e pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe me ndërhyrjet ruse pas rënies së Murit të Berlinit (1989).

Lexo më shumë  Në Shqipëri qytetarët, ndër më të lodhurit emocionalisht në vendin e punës në Europë

Ngjarjet, konfliktet, luftërat dhe diplomacia shihen përmes perspektivës së një shqiptari – një autori ballkanik, shkruan në borimin anglisht të kësaj monografie shtëpia botuese prestigjioze “Cambridge Scholars Publishing”, Londër. Ky botim u realizua më 22 majin e këtij viti. Duhet thënë se botimi në anglisht i “Russian Geopolitics in Eastern and Southeastern Europe” është e treta monografi që autori, Prof. Dr. Enver Bytyçi, u jepet lexuesve në gjuhën angleze nga kjo shtëpi botuese. Dy botimet e tjera janë “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” (2015) dhe “In the shadows of Albania-China relations 1960-1978” (2022).

Ballkani ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë rajoni që prodhon më së shumti histori. Në monografinë mbi gjeopolitikën, ashtu si në studimet e mëhershme të autorit trajtohet me kompetencë profesionale zhvillimi i ngjarjeve historike dhe aktuale në Ballkan, duke i ballafaquar ato me ndikimin e Rusisë dhe të Serbisë në funksion të dominimit të tyre në rajon. Krahas fakteve, të dhënave dhe dëshmive, libri bashkon në mënyrë koherente konceptet, shkaqet dhe pasojat e zhvillimeve gjeopolitike dhe historike të ndikuara nga Rusia dhe Fuqitë e tjera të Mëdha në Ballkan. Rrallë mund të gjesh studime që ofrojnë argumente dhe kundërargumente për çdo ngjarje, si në këtë monografi. Kjo sepse autori i kushton vëmendje të veçantë konflikteve ballkanike dhe ndërhyrjeve të Rusisë, me qëllimin strategjik për të fituar akses në Adriatik.

Lexuesit, studentët dhe studiuesit do të gjejnë në këtë vëllim një burim të thellë dhe shkencor informacioni.

YouTube player