Kurti: Anulimi i fluturimeve do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund të vinin, e kjo do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se subvencioni me 2 milionë euro i linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet prej nga vjen mërgata, nuk është blerje biletash e as ardhje e organizuar për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një status në Facebook ai ka shkruar se subvencionimin destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit.
“Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se subvencionimi i linjave ajrore është bërë i domosdoshëm edhe për shkak të anulimit të një pjese të fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit.
Sipas Kurtit anulimi i fluturimeve në muajt e verës, do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund te vinin siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht.
“E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë. Vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet prej nga vijnë mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor”, ka shkruar Kurti.
Qeveria në detyrë e Kosovës të martën në një mbledhje elektronike ka marr vendim për ndarjen e 2 milionë eurove për zbatimin e masës “mbështetja e mërgatës”. Me këtë shumë mbështeten linjat e fluturimit, siç ka thënë Qeveria, për “destinacionet që i shërbejnë mërgatës”.
Vendimi ka nxitu reagime nga partitë opozitare e shoqëria civile.
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e Qeverisë në detyrë
Bajrami në një postim në Facebook ka thënë se është “keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh”.
“E turpshme. E papranueshme. Keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh. Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse keni me votu me 7 qershor. Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë”, ka shkruar Bajrami.
Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove si mbështetje e linjave ajrore për fluturimet e mërgatës është qershia mbi tortë në keqpërdorimin e parasë publike për qëllime elektorale.
“Për më keq, kjo tashmë e tejkalon dimensionin e shkeljeve ligjore dhe e cenon drejtpërdrejt e seriozisht parimin e zgjedhjeve të ndershme. Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike”, ka thënë Cakolli përmes një reagimin në Facebook.

