KryesoreLajme

Prezantohet projekti ideor për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e projektit ideor për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve, në kuadër të përgatitjes për Lojërat Mesdhetare 2030.

Renovimi, zgjerimi dhe modernizimi i infrastrukturës strategjike arsimore dhe sportive në Prishtinë, është një nga projektet kryesore në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, nëpërmjet Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), për lojërat mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë. Por synojmë që t’i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030, që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit”, ka kryeministri në detyrë Kurti.

Projekti në Qendër të Studentëve sipas projektit parasheh: Zgjerimin e kapaciteteve akomoduese në 4500 shtretër; Renovimin e plotë të konvikteve ekzistuese; Renovimin e plotë të palestrës “1 tetori”’; Renovimin e mensës së studentëve; Ndërtimin e 3 objekteve të reja të konvikteve; Ndërtimin e sallës multifunksionale; Ndërtimin e pishinës gjysmëolimpike; Shtimi i funksioneve të tjera plotësuese arsimore, sportive, rekreative dhe argëtuese.

Lexo më shumë  Rikthehet në pronësi të shtetit një objekt i uzurpuar në Zveçan

Me të synohet transformimi i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e cila gjatë Lojërave Mesdhetare do të shërbejë si “Fshati i atletëve”, ndërsa më pas do të mbetet një investim afatgjatë në shërbim të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë.
Deklarata e kryeministrit në detyrë Kurti:

Ju faleminderit të gjithëve. E di që njerëzit i gëzojnë frytet e punës suaj, po nuk është që njihen e dihen përpjekjet, angazhimet, vështirësitë e pengesat, sfidat që i tejkaloni bashkë.

Ju dëshiroj shumë sukses. Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë. Por synojmë që t’i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030 që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit.

Lexo më shumë  Organizatat mjedisore kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në Pishë Poro–Nartë

Tashmë duhet ta zbatojmë sa më shpejtë dhe me këtë rast përveç Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjithashtu falënderoj edhe Agjencinë Franceze për Zhvillim, e cila po na ndihmon që të përgatitemi sa më mirë për vitin 2030, i cili në fakt nuk kryhet më vitin 2030, sepse të gjitha objektet, infrastruktura përcjellëse që do të ndërtohet ose rinovohet na ngelet edhe më pastaj për të gjitha aktivitetet tona pasi që të kenë përfunduar Lojërat Mesdhetare 2030.

Edhe njëherë faleminderit për kontributin e ju dëshiroj shëndet dhe suksese!

YouTube player