Lajme

Gërvalla pritet nga kryeprokurori Kryeziu në Prizren: Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin

Ministrja e Drejtërisë, Donika Gërvalla ka deklaruar se nuk mund të ketë shtet të fortë pa drejtësi të fortë, gjatë një vizite në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Gervalla ka njoftuar se në këtë institucion ajo është pritur nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu, me të cilin kanë diskutuar për sfidat dhe përgjegjësitë në sistemin e drejtësisë, si dhe për rëndësinë e bashkëveprimit institucional për garantimin e efikasitetit, profesionalizmit dhe rezultateve konkrete.

Lexo më shumë  Kurti: Kryetari i Skenderajt tentoi ta godiste veturën time gjatë fushatës vitin e kaluar

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi nuk është debat politik, por proces shtetëror që, sipas saj, po riformëson themelet e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ministrja Gërvalla ka nënvizuar se pakoja prej pesë ligjeve përbën bazën e transformimit institucional në drejtësi, me synim forcimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.

Ministrja ka përmendur edhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procesin e Vetingut, duke i cilësuar si hapa të rëndësishëm drejt një drejtësie që u shërben qytetarëve dhe shtetit.

Lexo më shumë  Bashkëpunimi ushtarak ShBA - Kosovë - Komandant Jashari takon gjeneralin amerikan Chris A. McKinney

“Koha kur sistemi i drejtësisë toleronte pandëshkueshmërinë nuk guxon të ekzistojë më. Nuk ka rrugë tjetër përveç forcimit të shtetit ligjor, forcimit të institucioneve me integritet dhe garantimit të barazisë para ligjit për secilin, pa dallim. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka shtuar Gërvalla.

Rruga Press

YouTube player