Bota

Bordi i Trumpit për Gazën raporton boshllëk në financim

Boshllëku mes premtimeve për financim dhe shpërndarjes reale të fondeve për planin e rindërtimit të Gazës nga Donald Trumpi duhet të mbyllet urgjentisht, ka deklaruar në një raport “Bordi i Paqes” i presidentit amerikan, duke identifikuar mungesë të mundshme fondesh për planin që vlerësohet të kushtojë 70 miliardë dollarë.

Trumpi e ka krijuar Bordin e Paqes për të mbikëqyrur planin e tij ambicioz për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar. Trumpi ka thënë se bordi do të merret gjithashtu edhe me konflikte të tjera.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka njohur bordin, megjithëse shumë fuqi të mëdha nuk i janë bashkuar aleatëve kryesorë të Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe disa shteteve të vogla e të mesme që janë regjistruar në këtë nismë.

Reuters ka raportuar në prill se bordi kishte marrë vetëm një pjesë të vogël të 17 miliardë dollarëve të premtuar nga anëtarët për Gazën, gjë që e pengonte presidentin të vazhdonte me planin e tij.

Bordi e ka mohuar raportin, duke deklaruar se ishte një “organizatë e fokusuar në zbatim që kërkon kapital sipas nevojës” dhe se “nuk ka kufizime financiare”. Paratë janë të destinuara për rindërtimin dhe për financimin e aktiviteteve të një qeverie kalimtare të Gazës, të mbështetur nga SHBA-ja.

Lexo më shumë  Gjermania do të investojë miliarda në mbrojtjen civile

Mirëpo, në një raport të 15 majit drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të parë nga Reuters të martën, bordi ka thënë se “hendeku mes angazhimeve dhe shpërndarjes së fondeve duhet të mbyllet me urgjencë”.

“Fondet e premtuara, por ende të pashpërndara, tregojnë dallimin mes një kuadri që ekziston vetëm në letër dhe një kuadri që sjell rezultate konkrete për popullin e Gazës”, thuhet ndër të tjera në raport.

Bordi për më tepër u ka bërë thirrje vendeve që i janë bashkuar atij, si dhe shteteve të tjera, të japin kontributet pa vonesë, duke u kërkuar “atyre shteteve anëtare që kanë bërë premtime të përshpejtojnë proceset e shpërndarjes së fondeve”.

Raporti nuk tregonte sa para kishte marrë bordi apo sa i madh ishte hendeku financiar, megjithëse ka theksuar se shuma e premtuar mbetet 17 miliardë dollarë. 

Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari janë ndër shtetet që kanë premtuar fonde për bordin. Të tjera përfshijnë Marokun, Uzbekistanin dhe Kuvajtin.

Rindërtimi i Gazës pas më shumë se dy vjet e gjysmë bombardimesh izraelite pritet të kushtojë mbi 70 miliardë dollarë. Ky është një element kyç i planit të Trumpit për të ardhmen e Gazës, por ai është vonuar ndërsa plani duket se ka ngecur.

Lexo më shumë  Irani në qendër të raportit të rëndë - Dënimi me vdekje përdoret si mjet shtypjeje politike

Pavarësisht armëpushimit të tetorit, Hamasi po refuzon të dorëzojë armët dhe Izraeli po vazhdon të mbajë trupa në një pjesë të madhe të Gazës, duke vazhduar gjithashtu sulmet ajrore. 

Në raportin e tij, bordi ka thënë se 85% e ndërtesave dhe infrastrukturës së Gazës janë shkatërruar dhe se rreth 70 milionë tonë rrënoja duhet të pastrohen.

Reuters ka raportuar më 15 maj se SHBA-ja po shqyrton mundësinë t’i kërkojë Izraelit të transferojë një pjesë të taksave që po i mban Autoritetit Palestinez tek Bordi i Paqes për të financuar rindërtimin.

Shumë shtete hezitojnë të financojnë rindërtimin e Gazës përmes bordit të Trumpit për shkak të shqetësimeve mbi transparencën dhe mbikëqyrjen, dhe preferojnë t’i kanalizojnë fondet përmes institucioneve tradicionale si Kombet e Bashkuara, sipas zyrtarëve evropianë dhe aziatikë.

Sipas statutit të bordit, shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve kur paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësi të përhershme. Nuk është e qartë nëse ndonjë shtet e ka paguar këtë tarifë.

Rruga Press

YouTube player