BotaKryesore

Biserko: Vuçiq po nxit tensione me “botën serbe”, synon ndikim përmes destabilizimit të rajonit

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e dy dekadave të pavarësisë së Malit të Zi nuk janë koment i rastësishëm politik, por vazhdim i një politike afatgjatë të kontestimit të shtetësisë dhe identitetit malazez, vlerëson Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Në një intervistë për portalin ETV, Biserko paralajmëron se një pjesë e rëndësishme e elitës politike serbe ende nuk e ka pranuar realitetin e Malit të Zi si shtet i pavarur, por vazhdon ta shohë atë si pjesë të “hapësirës kombëtare serbe”.

Sipas saj, retorika e Vuçiqit ka një funksion të dyfishtë: mobilizimin e elektoratit nacionalist në Serbi në kohë krize të brendshme politike, si dhe ushtrimin e presionit politik e mediatik ndaj Malit të Zi për të dobësuar orientimin e tij evropian dhe për të thelluar ndarjet e brendshme në vend.

Biserko thekson se për Beogradin, Mali i Zi nuk është parë vetëm si shtet fqinj, por si pjesë e një hapësire identitare, historike dhe gjeopolitike që një pjesë e elitës serbe vazhdon ta konsiderojë “hapësirë kulturore dhe kombëtare serbe”.

Lexo më shumë  Rashiq: Vuçiqi bashkë me Radoiçiqin prapa kërcënimeve dhe shantazhit të serbëve të Kosovës

Sipas saj, pavarësia e rikthyer e Malit të Zi në vitin 2006 u perceptua nga këto qarqe si “humbje shteti”, ndërsa Vuçiq, me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë, ka lënë të kuptohet sërish se shtetësia malazeze është “artificiale” ose e paqëndrueshme, duke sugjeruar se ndarja nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte në pushtet në atë kohë.

Sipas Biserkos, reagimi i presidentit serb lidhet edhe me krizën e gjatë politike në Serbi, e cila, siç thotë ajo, ka dëmtuar ndjeshëm legjitimitetin e tij.

“Përpjekja për mobilizim të opinionit publik përmes çështjes së Malit të Zi mbështetet edhe në faktin se në atë vend jeton një numër i konsiderueshëm i serbëve, si dhe në ndikimin e fortë të Kishës Ortodokse Serbe, e cila rrit polarizimin rreth çështjeve identitare”, thekson ajo.

Biserko vlerëson se një nga motivet kryesore të Beogradit është të ngadalësojë rrugën evropiane të Malit të Zi, i cili sipas saj ka gjasa reale të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian brenda dy deri tre viteve të ardhshme.

Lexo më shumë  Mexhiti: Jemi marrë vesh me Mickoskin, për tre muaj rregullohet çështja e gjuhës shqipe

“Përmes ndikimit politik dhe mediatik, Vuçiq nxit tensionet mes konceptit të ‘botës serbe’ dhe orientimit proevropian të Malit të Zi. Kjo politikë vështirëson konsolidimin e kursit evropian dhe thellon ndarjet e brendshme”, thotë ajo.

Duke folur për kontekstin më të gjerë rajonal, Biserko paralajmëron se Ballkani po shndërrohet sërish në një hapësirë të rivalitetit ndërkombëtar, gjë që e bën edhe më të ndërlikuar situatën politike në rajon.

Sipas saj, Vuçiç, i cili ka humbur një pjesë të besimit të partnerëve ndërkombëtarë, përpiqet të ruajë ndikimin në Malin e Zi dhe rajon përmes destabilizimit të fqinjëve dhe relativizimit të identitetit malazez, me qëllim që Beogradi të mbajë rolin e një “arbitri” në Ballkanin Perëndimor.

“Megjithatë, mbetet e hapur pyetja se sa e qëndrueshme është ende kjo politikë”, përfundon Biserko.

YouTube player