Mehani: Lushtaku më sulmoi pas ankesave të mia për keqpërdorime milionëshe
Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe njëherësh zëvendësministër i Financave, Hysni Mehani, ka deklaruar se sulmi fizik nga Sami Lushtaku gjatë ditës së djeshme ka ndodhur pas ankesave që, sipas tij, lidhen me keqpërdorime milionëshe.
Mehani e shpjegoi për ngjarjen në një intervistë për KTV-në.
“Jam kanë t’u bisedu në tavolinën time, dhe veç në moment të fundit e kam dëgjuar zotin Lushtaku që më ka thënë ‘m’ke thënë…’, nuk e ka përfundu fjalinë e më ka goditur me telefon e pastaj me mjete të forta të tjera. Ka filluar një sulm, fillimisht prej zotit Lushtaku, jam munduar të mbrohem dhe me karrige prej zotit Lushtaku dhe pastaj prej truprojave të tij”, ka deklaruar Mehani.
Ai tha se sulmi ishte i organizuar dhe i ndërlidhur me një e-mail dhe dokumente që, sipas tij, flasin për “mbindërtim të kundërligjshëm” në vlerë prej mbi 13 milionë eurosh.
“Sulmi ka ndodhur për këtë e-mail dhe për këto dokumente që janë metra katrorë mbindërtim të kundërligjshëm që shkojnë diku mbi 13 milionë euro. Kam qenë në komunë ditën e djeshme në orën 08:15, nëse Lushtaku ka pasur punë me më sulmu, nuk ka të bëjë me atë. Kur ka ardh ky e-mail, pas ankesave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi që flasin për keqpërdorim milionësh atëherë Lushtaku në orën 12:00, në mes të qytetit, më ka sulmuar”, është shprehur ai.
Sipas Mehanit, qëllimi i sulmit nuk ishte vetëm dhuna fizike, por edhe frikësimi publik.
“Qëllimi i zotit Lushtaku nuk ka qenë dhunë fizike, por dhunë për me i tregu edhe masës për nivelin e emancipimit për ata që guxojnë me kundërshtu atë”, ka deklaruar Mehani. /koha/
Rruga Press

