Lajme

Platforma e-Albania dhe sistemet e tjera shtetërore po përballen me një bllokim masiv, duke i lënë qytetarët dhe bizneset pa akses në shërbime jetike si certifikatat, rimbursimet apo fiskalizimin

Teksa qeveria po synon që gjithçka ta kalojë online dhe të transformojë edhe prokurimet publike, duke kaluar në një sistem të ri që do të mundësojë prokurime nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, sistemet aktuale janë pothuajse jashtë funksioni.

Që gjatë ditës së djeshme shumë qytetarë janë ankuar se ata nuk mund të aksesojnë E-Albania për të shkarkuar dokumente të thjeshta si një certifikatë personale apo familjare.

Kjo më pas nuk u mundëson atyre të bëjnë aplikime të tjera, si kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve për fëmijën përmes DIVA, apo dhe shumë funksione të tjera për të cilat është e nevojshme një certifikatë.

Lexo më shumë  Protestë në Vlorë, tregtarët e fruta-perimeve ngrihen përpara bashkisë: Malli do mbetet stok, vendi ku do na çojnë na falimenton

Teksa E-Albania në pjesën më të madhe nuk hapet fare, siç tregohet dhe në foto, nuk mund të aplikojnë për shërbime nga kadastra, kartën e shëndetit, verifikimin e pagimit të sigurimeve nga punëdhënësi etj.

Edhe subjektet ankohen se sistemi self-care me zor punon. Vetëm pak ditë më parë subjektet u përballën me mosfunksionim e platformës “SelfCare”, të cilët bizneset e përdorin për rakordimet e faturave, fiskalizimin e faturave të importit, lëshimin e faturave (për të vetëpunësuarit). Bizneset duhet të bëjnë roje dite e nate, pasi sistemi herë punon e herë jo.

Problematika me shërbimet online vijon të përsëritet pavarësisht fondeve të mëdha që ka marrë platforma e qeverisjes elektronike vitet e fundit.

Lexo më shumë  Nuk ka më as punë online, Shqipëria me rënien më të madhe të numrit të punëtorëve “freelance”

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Ndërkohë SPAK ka nisur hetimet vitin e kaluar për abuzime me fondet e Agjencisë Kombëtarë të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon platformën E-Albania./Monitor.al/

Rruga Press

YouTube player