Reuters: SHBA dhe Irani po i afrohen një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës që zgjat prej 68 ditësh
Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë drejt arritjes së një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh që synon t’i japë fund luftës në Gjirin Persik.
Reuters shkruan se një burim pakistanez tha që raportimi i mëparshëm i medias amerikane Axios mbi memorandumin e propozuar ishte i saktë.
Raporti i Axios kishte cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera të njohura me diskutimet.
“Do ta mbyllim këtë shumë shpejt. Po i afrohemi fundit,” tha burimi pakistanez.
Axios raportoi të mërkurën se Shtëpia e Bardhë beson se po i afrohet një memorandumi njëfaqësh për t’i dhënë fund luftës me Iranin, pasi Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, pezulloi një mision detar treditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Raporti i Axios specifikoi se ShBA pret përgjigjet e Iranit për disa pika kyçe brenda 48 orëve të ardhshme. Departamenti i Shtetit i ShBA dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Axios tha se marrëveshja do të përfshinte: Angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, pëlqimin e ShBA-së për heqjen e sanksioneve dhe lirimin e miliarda dollarëve nga fondet e ngrira iraniane si dhe heqjen e kufizimeve nga të dyja palët për tranzitin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Memorandumi njëfaqësh me 14 pika po negociohet midis të dërguarve të ShBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe disa zyrtarëve iranianë, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes ndërmjetësve.
Në formën e tij aktuale, memorandumi do të deklaronte fundin e luftës në rajon dhe fillimin e një periudhe negociatash 30-ditore për një marrëveshje të detajuar.
Kufizimet e Iranit për lundrimin në ngushticë dhe bllokada detare e ShBA-së ndaj Iranit do të hiqeshin gradualisht gjatë kësaj periudhe 30-ditore.
Një zyrtar amerikan shtoi se nëse negociatat dështojnë, forcat e ShBA-së do të jenë në gjendje të rivendosin bllokadën ose të rifillojnë veprimet ushtarake.
Më herët, Trumpi njoftoi pezullimin e “Project Freedom” (Projekti Liria), një mision i shpallur të dielën për të udhëhequr anijet përmes ngushticës së bllokuar.
Misioni nuk kishte arritur të sillte ndonjë rifillim të ndjeshëm të trafikut, ndërsa kishte provokuar një valë të re sulmesh iraniane mbi anijet në ngushticë dhe mbi objektiva në vendet fqinje.
Rruga Press

