Bota

Oligarkët e Orbanit po nxitojnë të ikin nga Hungaria me pasuritë e tyre

Përgjatë brigjeve të Danubit, lajmi se epoka e Viktor Orban kishte marrë fund ndezi një festë që zgjati me orë të tëra. Gëzimi u përhap në gjithë Hungarinë, ndërsa njerëzit përqafonin njëri-tjetrin dhe festonin. Për disa të tjerë, megjithatë, humbja e thellë në zgjedhje provokoi një lëvizje të nxituar.

Avionë privatë, që dyshohet se mbartnin pasuritë e atyre që u pasuruan gjatë 16 viteve të pushtetit të Orban, kanë nisur të ngrihen nga Vjena, ndërsa individë të tjerë po nxitojnë të investojnë asetet e tyre jashtë vendit, kanë thënë burime për The Guardian. Ndërkohë, figura të nivelit të lartë pranë Orban po shqyrtojnë mundësinë e vizave për në SHBA, duke shpresuar të gjejnë punë në institucione të lidhura me MAGA.

Kjo është një pamje e trazirave që kanë përfshirë Hungarinë ndërsa vendi përgatitet të mbyllë kapitullin e sundimit të Orban. Që kur erdhi në pushtet në vitin 2010, një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh të lidhur me të dhe me partinë e tij Fidesz kanë grumbulluar pasuri të mëdha, pjesërisht falë kontrollit të zgjeruar mbi ekonominë dhe kontratat publike të financuara nga BE.

Që pas zgjedhjeve, The Guardian ka mësuar se tre anëtarë të këtij rrethi të brendshëm kanë nisur të zhvendosin pasuritë e tyre jashtë vendit. Pasuritë po transferohen drejt vendeve të Lindjes së Mesme, si Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa të tjerë po synojnë Australinë dhe Singaporin, sipas dy burimeve pranë Fidesz.

Peter Magyar, lideri i partisë opozitare Tisza që fitoi me rezultat dërrmues këtë muaj, ka ngritur alarmin duke akuzuar të lidhurit me Fidesz se po nxitojnë të mbrojnë pasuritë e tyre nga përgjegjësia para se qeveria e tij të marrë detyrën në fillim të majit.

Lexo më shumë  Nafta arrin rekord/ Çmimi në bursa, 126 dollarë për fuçi, më i larti prej sulmit në Ukrainë në 2022

“Oligarkët e lidhur me Orban po transferojnë dhjetëra miliarda forinta në Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara, Uruguaj dhe vende të tjera të largëta,” deklaroi Magyar në rrjetet sociale të shtunën. Ai u bëri thirrje prokurorit të përgjithshëm, shefit të policisë dhe drejtuesit të administratës tatimore që “të ndalojnë kriminelët” dhe “të mos lejojnë që ata të arratisen” në vende ku ekstradimi do të ishte i pamundur.

Magyar tha se ndër ata që pritet të largohen nga vendi është edhe familja e Lőrinc Mészaros, një nga miqtë më të afërt të Orban, i cili nga një montues tubacionesh u bë njeriu më i pasur në Hungari, pjesërisht falë kontratave publike. Kompania e Mészaros nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

“Jam informuar gjithashtu se disa familje oligarkësh tashmë janë larguar nga vendi,” shtoi Magyar. “Sipas raportimeve, disa familje me ndikim kanë tërhequr fëmijët nga shkollat dhe po organizojnë largime të sigurta janë vendit.”

Gara për të transferuar pasuritë jashtë u raportua fillimisht nga gazetarë të pavarur në Hungari, përfshirë median investigative Vsquare, e cila tha se figura kyçe pranë Orban po përpiqen të mbrojnë pasuritë përpara se qeveria e Magyar të mund t’i ngrijë, konfiskojë apo nacionalizojë ato. Ndërkohë, portali 444.hu raportoi në mars se figura të rëndësishme kishin nisur tashmë transferimin e pasurive drejt Dubait.

Megjithatë, këto përpjekje mund të pengohen nga burokratët dhe zyrtarët e rendit që kanë dijeni për veprimet gjatë viteve të pushtetit të Orban, duke “krijuar terrenin për përpjekje që mund të zgjasin me vite për të rikuperuar pasurinë publike të dyshuar si të vjedhur dhe për të arrestuar përgjegjësit për krime financiare,” sipas Vsquare.

Lexo më shumë  Presidentja Maia Sandu thotë se ribashkimi i Moldavisë me Rumaninë përshpejton pranimin në BE

Që nga zgjedhjet, Magyar ka deklaruar vazhdimisht se qeveria e tij do të godasë korrupsionin dhe klientelizmin që, sipas tij, karakterizuan vitet e Fidesz në pushtet.

“Vendi ynë nuk ka kohë për të humbur. Hungaria është në telashe në çdo drejtim. Është plaçkitur, grabitur, tradhtuar, zhytur në borxhe dhe shkatërruar,” tha ai një ditë pas zgjedhjeve. “U bëmë vendi më i varfër dhe më i korruptuar në BE.”

Lideri i ardhshëm ka akuzuar gjithashtu se gjatë javëve të fundit të pushtetit të Orban po shkatërrohen dokumente komprometuese.

“Po marrim gjithnjë e më shumë raportime për shkatërrim në shkallë të gjerë dokumentesh nga ministri të ndryshme, institucione të lidhura dhe kompani pranë Fidesz,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Ish-ministri i Jashtëm, Péter Szijjartó, i përmendur mes institucioneve të akuzuara për shkatërrim dokumentesh, i cilësoi akuzat si “të pavërteta” dhe “të papranueshme”. Ministria deklaroi se kishte “hedhur vetëm kopjet fizike të dokumenteve që ishin të ruajtura në formë elektronike”.

Ministria e Jashtme dhe zyra e Orban, i cili ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të The Guardian.

Rezultati i zgjedhjeve ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi të ardhmen e Orban, liderit të fortë që e kishte përkufizuar Hungarinë si një “laborator për iliberalizmin”, duke frymëzuar administratën e Donald Trump dhe të djathtën ekstreme globale./The Guardian

Rruga Press

YouTube player