KryesoreLajme

Anketa e Bankës Botërore për Shqipërinë: 28% e bizneseve korrupsion me lejet e ndërtimit, 4 herë më shumë se rajoni

Anketa e Ndërmarrjeve e Bankës Botërore për vitin 2025 gjeti rritje domethënëse të korrupsionit me lejet e ndërtimit në Shqipëri.

Publikimi i fundit mbi rezultatet e anketës tregoi se sektori i ndërtimit mbetet pika më kritike, ku rreth 28% e bizneseve deklarojnë se u është kërkuar ose është pritur prej tyre të japin dhurata apo pagesa joformale për të marrë një leje ndërtimi. Kjo shifër është katër herë më e lartë se mesatarja rajonale prej vetëm 7%.

Rezultatet tregojnë se ka një rritje të fortë të korrupsionit në krahasim me 2019, në anketën e mëparshme të Bankës. Gjashtë vite më parë rreth 9% e bizneseve raportonin se jepnin ryshfet për leje ndërtimi, sot kjo shifër është trefishuar duke arritur në 28%.

Kjo rritje tregon se sektori i ndërtimit është shndërruar në një vatër korrupsioni,  ku pothuajse një në tre biznese detyrohet të ofrojë pagesa informale për të vijuar aktivitetin.

Lexo më shumë  Ina Zhupa: Shqipëria 3 vende më poshtë në lirinë e medias, dëshmi e një qeverisje që nuk pranon llogaridhënien

Sipas anketës situata me korrupsionin paraqitet problematike edhe në marrëdhëniet e biznesit me administratën tatimore. Të dhënat tregojnë se 12% e bizneseve shqiptare janë përballur me kërkesa për ryshfet gjatë këtyre kontakteve, një shifër që tejkalon sërish ndjeshëm mesataren e Evropës dhe Azisë Qendrore, e cila qëndron në 5%.

Ky trend i lartë i pagesave nën dorë, veçanërisht në proceset jetike për zhvillimin ekonomik siç janë lejet e ndërtimit dhe detyrimet tatimore, sinjalizon barriera serioze për mirëfunksionimin e tregut për vitin 2025.

Raporti i Bankës pati fokus edhe te incidenca e Ryshfetit, e cila mat përqindjen e bizneseve që kanë përjetuar të paktën një kërkesë direkte për pagesë ryshfeti.

Sipas të dhënave të vitit 2025, Shqipëria paraqitet me një nivel incidence prej 15%, shifër kjo që dëshmon se korrupsioni mbetet një fenomen i përhapur gjerësisht në mjedisin e bërit biznes në vend.

Lexo më shumë  Dënohet me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë Sllobodan Radenkoviq, për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Përhapja e ryshfetit në Shqipëri është më shumë se dyfishi i mesatares së vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore, ku kjo incidencë rezulton vetëm 6%. Edhe kur krahasohet me grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ku mesatarja qëndron në 10%, Shqipëria mbetet përsëri në një pozicion disavantazhues.

Kjo tregon se, pavarësisht përpjekjeve për reforma, bizneset në Shqipëri vazhdojnë të përballen me korrupsion dukshëm më të lartë se vendet e Rajonit dhe në ekonomitë me zhvillim të ngjashëm./Monitor

Rruga Press

YouTube player