Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë sot aktgjykimin për “Banjskën”
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të shpallet aktgjykimi për rastin “Banjska”.
Seanca për shpalljen e vendimit ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq, pritet të nisë në orën 15:00.
Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Toliqin e Maksimoviqin.
Ata janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast.
Në seancën gjyqësore ku u mbajt fjala përfundimtare e të akuzuarve, Dushan Maksimoviq tha se është falënderues ndaj mbrojtjes që ja ka bërë avokatja e tij dhe se beson që herën e ardhshme do ta falënderojë trupin gjykues me rastin e lirimit të tij nga akuzat.
Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u deklaruan se nuk duan të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit.
Ndryshe nga ta, Maksimoviqi ka thënë se dëshiron të jetë i pranishëm në sallë me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
Rruga Press

