Gërvalla: Projektligji për Byronë nuk cenon qytetarin, merret me zyrtarët publikë
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – i cili pret të miratohet në shqyrtim të parë sot – mbron drejtësinë edhe për ata që pasurinë e kanë krijuar ligjshëm.
Ajo në Kuvend ka theksuar se projektligji thotë qartë se pozicioni publik nuk është justifikim për pasurim të paligjshëm.
“Nuk është shkruar për të prodhuar artikuj por për të prodhuar llogaridhënie. Kjo nismë nuk ka ardhur rastësisht. As Komisioni i Venecias as gjykata nuk e kanë kontestuar.. këto rekomandime janë reflektuar në tekstin që sot e paraqesim para jush. Sot e kemi një projektligj që ka qëndruar gjatë tepër gjatë ne sirtarët e gjykatës. Por edhe ka kaluar nëpër filtra… byroja nuk konfiskon, nuk gjykon, nuk i zëvendëson gjykatat, byroja mbledh verifikon dhe analizon informacionin, konfiskimin e bën gjykata. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm por me zyrtarët publikë”, u shpreh ajo nga foltorja e Kuvendit.
Gërvalla ka shtuar se projektligji për Byronë nuk cenon qytetarët e zakonshëm.
“Qytetari i zakonshëm nuk është objekt i këtij ligji. Procedurat nuk nisin arbitrarisht por mbi bazë të informatave kredibile. Të drejtat e palëve janë të garantuara në çdo fazë. Ky projektligj është ndërtuar mi logjikën e përgjegjësisë provës kontrollit gjyqësor dhe interesit publik. Qeveria e ka miratuar për herë të tretë kjo tregon se nuk ka pasur zmbrapsje”, theksoi ajo duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojnë dhe të rreshtohen “në anën e shtetit ligjor”.
Përparim Gruda nga PDK ka thënë se grupi i tij është shprehur kundër këtij projektligji, teksa ka sqaruar pse nuk e votojnë. Ka theksuar se diskutimi mbi të duhet të bëhet me kujdes.
“Për ta sqaruar si fillim, ne nuk jemi në parim kundër këtij ligji. Ligji tha është miratuar tri herë në qeveri tha kjo tregon përkushtimin, kjo në fakt nuk është mirë, kjo tregon që ligji nuk është bërë mirë. Për këtë ligj s’ka pasur konsultim fare. Një ligj kaq i ndjeshëm do të duhej t’i nënshtrohej një debati”, ka thënë Gruda.
Gruda ka shpjeguar më tej çka ka gjetur PDK-ja në përmbajtje të projektligjit.
“E dyta Gjykata ka bërë vërejtje për ligjin ka thënë që nuk mund të lini çështje për t’i rregulluar me akte nënligjore. Meqë ky ligj prek të drejtat dhe liritë e njeriut, prapë është lënë që disa çështje që lidhen me këtë të rregullohen me akte nënligjore. Tjetra, mungesa e një mekanizmi efikas te kompensimit. Nëse personit që i bllokohet pasuria dhe del se nuk ka pasur pasuri të pajustifikuar… Te pjesa teknike ka vërejtje që mund të jenë për trajtim edhe nga Gjykata Kushtetuese, ligji e ka emrin Ligji për verifikimin dhe konfiskimin, nuk i përshtatet përmbajtjes, byroja nuk konfiskon prandaj nuk mund ta ketë emrin kësisoj dhe duhet të ndërrohet. Të paktën konfiskimi.. Mënyra si është shkruar nuk është gjuhë juridike por publicistikë”.
Ai ka theksuar se nëse vërejtjet nuk adresohet, nuk do të votojnë pro.
“Nëse ne i japim shans Kuvendit që mes dy leximeve të bëjmë një konsultim publik, mund t’i adresojmë këto. Sot PDK do të abstenojë për ta dhënë një shans. Nëse vërejtjet nuk adresohen ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj sepse vërejtjet që përmenda janë në kundërshtim me Kushtetutën”.
Rruga Press

