Opinion/Aktualitet

Rusia ka ndikim të madh në Serbi, ndërsa pushteti aktual në Beograd e pëlqen këtë fakt

Rusia ka ndikim të madh në Serbi, ndërsa pushteti aktual në Beograd e “pëlqen” këtë fakt.

Ky pak a shumë është thelbi i analizës “Ndikimi rus në Serbi e Ballkan” të përgatitur nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përcjellë KosovaPress.

Sipas këtij raporti, ndikimi i Rusisë në këtë vend por edhe shtetet tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor po merr përmasa gjithnjë e më të theksuara, duke u shtrirë përtej dimensionit gjeopolitik në fusha politike, ekonomike, mediale dhe të sigurisë.

Analiza nxjerr konstatimin se Serbia mbetet pika kyçe e veprimit rus në rajon, duke shërbyer si platformë për realizimin e interesave strategjike të Moskës.

Raporti vlerëson se ndikimi rus është rritur dukshëm pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putinit, ndërsa një moment kyç konsiderohet shitja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) Rusisë në vitin 2008, që ka rritur varësinë energjetike të vendit.

Influenca e Kremlinit, sipas Komitetit të Helsinkit, është intensifikuar sidomos pas vitit 2012, me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Në këtë kontekst, siç shkruan në analizë, Serbia vazhdon të mbajë një qëndrim të veçantë në rajon, duke mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe duke qëndruar jashtë NATO-s.

Rusia, gjithmonë sipas dokumentit, ka nxitur edhe narrativa historike dhe konceptin e “botës serbe”, duke forcuar lidhjet ideologjike dhe politike. Aty përmendet edhe fakti se filozofi rus Aleksandër Dugin ka promovuar idenë e Serbisë si qendër e një federate ortodokse në Ballkan, ndërsa Perëndimi për një kohë të gjatë nuk i ka marrë seriozisht këto zhvillime.

Lexo më shumë  Demokracia triumfoi në Hungari, Vuçiqi në frikë nga ndryshimet që po vijnë

Sipas Komitetit të Helsinkit, agresioni rus në Ukrainë dhe incidenti në Banjskë në Kosovë,në shtator 2023, kanë rritur shqetësimet për ndikimin destabilizues të Moskës në rajon.

Si ndikon konkretisht Rusia në Serbi

Sipas dokumentit, Rusia përdor një kombinim mjetesh për të influencuar Ballkanin. Këto përfshijnë mbështetjen politike dhe diplomatike për Serbinë, sidomos në çështjen e Kosovës, varësinë energjetike, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si dhe ndikimin mediatik dhe kulturor.

Një rol të veçantë luajnë mediat si Sputnik dhe RT Balkan, të cilat, sipas raportit, përhapin narrativa anti-perëndimore dhe ndikojnë në opinionin publik, veçanërisht tek serbët e rinj në moshë.

Po ashtu, ndikimi shtrihet edhe në dimensionin kulturor dhe fetar, përmes promovimit të lidhjeve historike dhe ortodokse ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Kisha Ortodokse serbe thuhet se është kanali nëpërmjet të cilit Moska kryen shumë punë.

Pasojat e “pakëndshme” për rajonin

Raporti paralajmëron se ky ndikim ka pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin e rajonit. Ndër to përmenden regresi demokratik, dobësimi i institucioneve, përhapja e dezinformatave dhe pengimi i proceseve të pajtimit rajonal.

Sipas analizës, strategjia ruse nuk synon domosdoshmërisht dominim të drejtpërdrejtë, por krijimin e një gjendjeje të vazhdueshme pasigurie dhe paqëndrueshmërie, që e bën më të vështirë integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit.

Roli i aktorëve lokalë në Serbi

Lexo më shumë  Lajmet e rreme, armiku i ri i jetës sonë

Dokumenti thekson se ndikimi rus nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e aktorëve vendorë në Serbi, të cilët veprojnë përmes strukturave politike, mediave dhe rrjeteve ekonomike.

Këta aktorë, sipas raportit, luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e narrativës publike dhe në ruajtjen e pranisë ruse në rajon.

Ndikimi rus në Serbi e Ballkan është sfidë për Evropën

Raporti nënvizon se ndikimi rus në Ballkan përbën jo vetëm një sfidë rajonale, por edhe një çështje të sigurisë evropiane, sidomos pas luftës në Ukrainë.

Në këtë drejtim, theksohet nevoja për një qasje më aktive të Bashkimit Evropian, duke përfshirë rikthimin e besueshmërisë së politikës së zgjerimit dhe forcimin e institucioneve demokratike në rajon.

Po ashtu, rekomandohet investim më i madh në mediat e pavarura, lufta kundër dezinformimit dhe diversifikimi i burimeve energjetike, si masa kyçe për reduktimin e ndikimit të jashtëm.

Paralajmërimet “gri” për të ardhmen e Balkanit dhe jo vetëm

Sipas raportit, nëse Ballkani Perëndimor mbetet një lloj “zone gri” zonë ndërmjet ndikimit të BE-së dhe Rusisë, ekziston rreziku i një paqëndrueshmërie të vazhdueshme në rajon.

Në përfundim, raporti vlerëson se ndikimi i Rusisë në Ballkan përbën jo vetëm sfidë rajonale, por edhe çështje të sigurisë evropiane, duke bërë thirrje për më shumë transparencë dhe mbrojtje të proceseve demokratike.

Rruga Press

YouTube player