Reduktohet deri në 60% transporti publik në rrethe, operatorët në krizë në Shqipëri
Reduktimi i transportit publik nuk ka prekur vetëm kryeqytetin, por edhe qytetet e tjera të vendit, ku situata vijon të përkeqësohet.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, bëri të ditur për Monitor se gjatë ditës së sotme numri i autobusëve në rrethet kryesore ka rënë deri në 60%. Sipas tij, në Durrës shërbimi është reduktuar me 50%, në Vlorë dhe Berat me nga 60%, në Lushnjë me 50% dhe në Peshkopi me 40%.
Ndërkohë, transporti ndërqytetas me furgonë po funksionon me orare të kufizuara. Memaj thekson se ky sektor prej kohësh përballet me vështirësi financiare për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve, një fenomen që është përkeqësuar ndjeshëm pas pandemisë së Covid-19. Sipas tij, numri i udhëtarëve është përgjysmuar ndër vite.
Rritja e çmimit të naftës ka shtuar edhe më shumë presionin mbi operatorët, duke rrezikuar pezullimin e shërbimit në disa zona. Ata kërkojnë ndërhyrje nga institucionet shtetërore për kompensimin e kostove.
“Operatorët, si në rrethe ashtu edhe në Tiranë, e kanë të pamundur të vijojnë normalisht pa mbështetje nga shteti, ndërkohë që çmimi i naftës është rritur dhe numri i pasagjerëve ka rënë ndjeshëm,” u shpreh Memaj.
Që në orët e para të mëngjesit, në shumë qytete të vendit është vështirësuar ndjeshëm lëvizja me transport publik. Në Tiranë, nga rreth 200 autobusë që operojnë në afro 50 linja, vetëm 115 kanë qenë në qarkullim. Kjo ka sjellë radhë të gjata në stacione dhe pritje të zgjatura, që sipas qytetarëve kanë qenë deri në dyfish më të larta se zakonisht.
Në rang vendi funksionojnë rreth 450 linja të rregullta të transportit publik, të operuara nga afro 250 kompani. Shoqatat e transportit i janë drejtuar disa herë Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe bashkive, duke kërkuar zgjidhje për krizën financiare të sektorit.
Gjatë një takimi të zhvilluar më 1 prill me ministren e Ekonomisë, operatorët kërkuan rikthimin e skemës së vitit 2022, e cila parashikonte kompensim prej 100 lekësh për litër naftë për një periudhë 6-mujore.
Megjithatë, në mungesë të një reagimi nga institucionet, operatorët nuk kanë mundësi të rrisin zyrtarisht çmimet e biletave, pasi ato përcaktohen me vendim qeverie. Pavarësisht kësaj, qytetarët raportojnë se në disa rrethe, që prej fillimit të luftës, disa operatorë kanë aplikuar rritje çmimesh deri në 20%.
Rruga Press

