Zhupa: Po e përdorni diasporën për propagandë, të reagojmë për shqiptarët e Maqedonisë
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për organizimin e Samitit të Diasporës, duke e cilësuar atë një ngjarje propagandistike dhe duke kritikuar injorimin e institucionit të parlamentit.
Njëkohësisht, ajo i bëri thirrje klasës politike të bashkohet në një qëndrim zyrtar në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ina Zhupa: Kam ndjekur me vëmendje edhe prononcimet e deputetëve nga ana juaj, edhe prononcimet e deputetëve tanë, në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Më vjen mirë që kemi reaguar të dyja palët, por kemi reaguar në mënyrë individuale, si deputetë apo si përfaqësues të elektoratit tonë.
Do të ishte në nderin dhe në detyrën e këtij Kuvendi që të reagonte zyrtarisht dhe të dilte me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
Që vjen që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ligji i miratuar nga Maqedonia e Veriut, sepse nuk bëhet fjalë për një diskutim me karakter politik, por bëhet fjalë për një diskutim me karakter ligjor, me karakter kombëtar.
Ju, samitin e diasporës e kishit titulluar Rrënjët të lartësojnë. Rrënjët tona janë kudo, janë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe është detyra e shtetit shqiptar që të kujdeset sa herë cënohen të drejtat atje.
Mënyrën se si, zoti kryetar, e kishit organizuar samitin e diasporës, do t’ju ftoja me shumë sinqeritet, meqënëse jeni duke diskutuar edhe Rregulloren e Kuvendit, që komisionit të turizmit dhe të kulturës, le t’ia hiqni diasporën, për aq kohë sa e keni injoruar totalisht Kuvendin, për aq kohë sa qeveria nuk e pa të nevojshme që të përfshinte deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, komisionin parlamentar të diasporës, për të marrë pjesë, për të qenë pjesë e për të organizuar një samit i cili i shërbente realisht diasporës.
Kur ky samit, zoti ministër, meqë jeni këtu, do të duhej të kishte filluar me çfarë u bë nga tre samitet e mëparshme. Kush ishin objektivat që arritën ata tre të mëparshmit dhe cilat janë objektivat e këtij të katërtit?
Po e kthyet në një samit propagandistik, ku unë për shembull nuk arrita dot ta kuptoj, mbasi ju kishit publikuar axhendën finale, si u gjend folës Taulant Balla dhe me ç’tagër ishte Taulant Balla atje, përveçse me tagrin e drejtuesit politik të diasporës. Se po të ishte si kryetar grupi, detyrimi ishte që të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të ishin ftuar atje. Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe për qëllime elektorale.
Por të paktën, kur vjen puna tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, le të bashkohemi, le të jetë detyrë e kryetarëve të grupeve për të bërë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë.
Rruga Press

