Rutte u bën thirrje vendeve të NATO-s: Të sigurohemi që të garantojmë mbështetje të pandërprerë për Ukrainën
Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte u bëri thirrje vendeve anëtare të mos e humbasin nga vëmendja Ukrainën dhe të rrisin mbështetjen për Kievin, duke vendosur si objektiv 60 miliardë dollarë ndihmë për vitin 2026.
“Duhet të sigurohemi që jemi në gjendje të garantojmë një mbështetje të pandërprerë për Ukrainën”, deklaroi ish-kryeministri holandez në hapje të një takimi në Berlin të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, që përfshin aleatët e Kievit.
Ai u kërkoi 32 vendeve të Aleancës Atlantike të investojnë më shumë për të arritur objektivin e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për Ukrainën këtë vit.
Takimi zhvillohet në një moment kur procesi i negociatave për përfundimin e luftës – i nxitur nën presionin e Donald Trump – duket i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi të ardhmen e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, të cilat Kievi nuk pranon t’i dorëzojë.
Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit me Iran, i nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli, e ka zhvendosur në plan të dytë çështjen ukrainase, katër vjet pas fillimit të pushtimit rus në shkallë të gjerë.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhaïlo Fedorov, e përshkroi dimrin e fundit si “një nga më të vështirët në historinë ukrainase”.
Sipas tij, nga nëntori deri në mars, Kremlini ka lëshuar 462 raketa balistike, rreth 600 raketa kruz dhe 27 mijë dronë të tipit “Shahed” kundër Ukrainës, me synimin për të shkatërruar infrastrukturën energjetike dhe për ta lënë popullsinë në errësirë.
Megjithatë, ai theksoi se Ukraina “ka qëndruar e fortë” dhe, falë mbështetjes së aleatëve evropianë përmes programit PURL për blerjen e pajisjeve amerikane, ka forcuar mbrojtjen ajrore.
Sipas tij, shkalla e interceptimit të raketave kruz ka arritur në rreth 80%, ndërsa ajo e dronëve në 90%.
Nga ana e tij, Rutte deklaroi se Ukraina po mban linjat në fushëbetejë dhe po i shkakton humbje të mëdha Rusisë, mbi 35 mijë në muaj.
Ai shtoi se mbrojtja ajrore, dronët dhe raketat, si dhe municionet e artilerisë me rreze të gjatë mbeten tre prioritetet kryesore për zhvillim dhe furnizim në bashkëpunim me aleatët.
Rruga Press

